“Nga lumi deri në det”: Kongresi i ShBA-së e censuron kongresisten myslimane në lot për palestinezët - NACIONALE

“Nga lumi deri në det”: Kongresi i ShBA-së e censuron kongresisten myslimane në lot për palestinezët

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dhoma e Përfaqësuesve e ShBA-së votoi të martën në mbrëmje për ta censuruar anëtaren demokrate të saj, Rashida Tlaib, pavarësisht se ajo e mbrojti me emocione qëndrimin e saj.

Anëtarët republikanë dhe disa ligjvënës të partisë së saj votuan një rezolutë në të cilën thuhet se kongresistja “promovon narracione të rreme në lidhje me sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023 ndaj Izraelit dhe për thirrjet për shkatërrimin e shtetit të Izraelit”. 234 ligjvënës e mbështetën këtë rezolutë, ndërsa 188 votuan kundër saj.

Kjo është hera e dytë që kongresistja myslimane ballafaqohet me rezolutë censuruese për shkak të kritikave që i shpreh ndaj Izraelit, raporton ”ABC News".

Zonja Tlaib u kaplua nga emocionet në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve më herët të martën, përderisa i mbrojti pikëpamjet e saj rreth konfliktit vdekjeprurës mes Izraelit e Hamasit.

Kritikuesit e saj e kanë vënë në pah përdorimin e frazës “nga lumi deri në det” nga kjo kongresiste, që nga disa cilësohet si thirrje për t’i dhënë fund ekzistencës së Izraelit. Sidoqoftë, Tlaibi ka thënë se kjo shprehje është “thirrje aspirate për liri, të drejta të njeriut dhe bashkezkistencë paqësore, jo vdekje, shkatërrim apo urrejtje”.

E rrethuar nga disa kolegë progresistë të Partisë Demokratike, zonja Tlaib tha më herët të martën se nuk do të heshtë dhe i akuzoi ligjvënësit për shtrembërim të fjalëve të saj.

“Ne jemi qenie njerëzore si të gjithë të tjerët. Qyteti im, gjyshja ime – si të gjithë palestinezët – vetëm do që ta jetojë jetën e vet me liri dhe dinjitet njerëzor që të gjithë ne e meritojmë. Ngritja e zërit për të shpëtuar jetë pavarësisht nga besimi, pavarësisht nga etnia, nuk duhet të jetë kundërthënëse në këtë sallë. Klithjet e fëmijëve palestinezë e izraelitë mua nuk më tingëllojnë ndryshe. Ajo që nuk e kuptoj është pse klithmat e fëmijëve palestinezë u tingëllojnë ndryshe të gjithë juve. Nuk mund ta humbim humanizmin e përbashkët”- tha kongresistja Tlaib.

Rezoluta për censurimin e një anëtari të Kongresit nuk ka fuqi përtej dënimit publik të sjelljes së tij ose të saj. Kjo masë nuk i mohon privilegjet e anëtarit në Kongres dhe as nuk e përjashton atë nga institucioni ligjvënës. Për miratimin e një rezolute të tillë nevojitet shumicë e thjeshtë e votave.

Lajme të ngjashme