Netanyahu thotë se Izraeli mund të ketë “përgjegjësi për sigurinë” në Gaza edhe pas luftës - NACIONALE

Netanyahu thotë se Izraeli mund të ketë “përgjegjësi për sigurinë” në Gaza edhe pas luftës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se vendi i tij mund ta qeverisë Gazën për një “periudhë të pacaktuar” pas përfundimit të luftës.

Duke theksuar se presidenti amerikan, Joe Biden, më parë kishte thënë se do të ishte gabim që Izraeli ta pushtonte Gazën, intervistuesi i televizionit “ABC News”, David Muir, e pyeti Netanyahun se kush do ta qeverisë këtë territor pas përfundimit të luftë.

Kryeministri la të kuptohej se Izraeli do të kishte një rol për një “periudhë të pacaktuar”, përcjell gazeta “The Guardian”.

“Ata që nuk duan ta vazhdojnë rrugën e Hamasit... Qartazi nuk është – Unë mendoj se Izraeli për një periudhë të pacaktuar do të duhet që ta ketë përgjegjësinë e përgjithshme të sigurisë, sepse kemi parë se çfarë ndodh, kur nuk e kemi. Kur ne nuk e kemi atë përgjegjësi të sigurisë, ajo që e kemi është shpërthimi i terrorit të Hamasit në një shkallë që nuk kemi mundur ta imagjinojmë”- tha Netanyahu.

Muajin e kaluar, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha se një objektiv kyç i fushatës ushtarake të vendit të tij ishte që ta shkëpuste “përgjegjësinë e Izraelit për jetën në Rripin e Gazës” dhe të formohej “një realitet i ri i sigurisë për qytetarët e Izraelit”.

Shtetet e Bashkuara kanë sugjeruar se Autoriteti Palestinez, që e administron Bregun Perëndimor, mund ta marrë kontrollin në Gaza, ndërsa të tjerët kanë sugjeruar se një partneritet i shteteve arabe mund ta marrë përgjegjësinë për enklavën e izoluar.

I pyetur për komentet e Netanyahut, zëdhënësi për siguri kombëtare i ShBA-së, John Kirby, tha: “Ajo që ne e përkrahim është që Hamasi nuk mund ta ketë kontrollin e Gazës më. Jemi duke pasur biseda me homologët tanë izraelitë për atë se si duhet të duket qeverisja në Gaza pas konfliktit dhe unë nuk besoj se ndonjë zgjidhje është vendosur për një mënyrë ose një tjetër.”

Lajme të ngjashme