“Më shumë se 10 mijë të vrarë që nga fillimi i luftimeve në Gaza” - NACIONALE

“Më shumë se 10 mijë të vrarë që nga fillimi i luftimeve në Gaza”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza, ka thënë se numri i njerëzve të vrarë në Gaza që kur Izraeli nisi bombarimet, ka arritur në 10,022.

Kjo shifër e fundit vjen pas një nate me sulme intensive nga ushtria izraelite, e cila se gjatë natës kanë goditur qindra objektiva, përfshirë një kompleks ushtarak të Hamasit.

Nga drejtori i spitalit më të madh në qytetin e Gazës është bërë e ditur se gjatë ditës së djeshme janë vrarë rreth 200 persona. Ndërkohë, një grup i agjencive humanitare të OKB-së dhe organizatave bamirëse kanë thënë se në mesin e të vdekurve besohet të jenë mijëra fëmijë.

Lidhur me të dhënat e fundit për numrin e viktimave ka pasur edhe dyshime rreth saktësisë, nga politikanë të ndryshëm, përfshirë presidentin amerikan Joe Biden, megjithatë, nga OKB janë shprehur se ata mendojnë që numrat janë të besueshëm.

Kujtojmë se Izraeli filloi sulmet e tij në Gaza pasi Hamasi vrau më shumë se 1,400 njerëz në Izrael dhe rrëmbeu më shumë se 200 të tjerë më 7 tetor, kurse ushtria izraelite thotë se operacioni i saj synon të shkatërrojë plotësisht Hamasin.

Në zhvillime të tjera, kujtojmë se një lëvizje tjetër e rrallë ka ardhur nga ShBA, ku ushtria amerikane ka njoftuar dërgimin në Lindjen e Mesme, të një nëndetësje me raketa të drejtuara.

Sipas raportimeve të mediave të huaja, këto nëndetëse mund të pajisen me raketa të avancuara balistike ose Tomahawk. Nga Komanda Qendrore e ShBA-së, është bërë e ditur se nëndetësja është e klasit Ohio dhe ka hyrë në zonën e saj në kohën kur sekretari i Shtetit Antony Blinken, po bën një turne në rajon për të diskutuar situatën në Gaza.

Dihet se Blinken deri më tani ka vizituar Izraelin, Bregun Perëndimor, Turqinë, Irakun, Jordaninë dhe Qipron, ndërsa ky udhëtim është i dyti i tij në rajon që nga shpërthimi i luftimeve.

Lajme të ngjashme