Netanyahu dorëzohet pas presionit të ShBA-së, e lë të hapur mundësinë e pauzave në luftime
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të hënën se vendi i tij do t’i shqyrtonte “pauzat e vogla taktike” në luftime për t’i lehtësuar hyrjen e ndihmave ose largimin e pengjeve nga Rripi i Gazës, por përsëri i refuzoi thirrjet për armëpushim pavarësisht nga presioni ndërkombëtar.
“Deri në pauzat e vogla taktike – një orë këtu, një orë atje – i kemi pasur ato më parë. Supozoj se do t’i kontrollojmë rrethanat me qëllim që të mundësojmë që mallrat, mallrat humanitare të hyjnë, ose pengjet tona, pengjet individuale, të largohen”- tha Netanyahu në një intervistë.
“Por nuk mendoj se do të ketë një armëpushim të përgjithshëm”- shtoi kryeministri izraelit, raporton agjencia “Reuters”.
Presidenti amerikan, Joe Biden, diskutoi pauza të tilla dhe lirimin e mundshëm të pengjeve gjatë një telefonale me Netanyahun të hënën, duke e përsëritur mbështetjen e tij për Izraelin, por gjithashtu duke theksuar se duhet të mbrohen civilët, tha Shtëpia e Bardhë.
Si Izraeli, edhe Shtetet e Bashkuara kanë frikë se Hamasi do të përfitonte nga armëpushimi për t’u rigrupuar.
Organizatat ndërkombëtare thonë se spitalet në Gaza nuk mund ta përballojnë numrin e të lënduarve, ndërsa ushqimi dhe uji i pastër po harxhohen, sepse nuk ka ndihma të mjaftueshme.
“Kemi nevojë për një armëpushim të menjëhershëm humanitar. Janë bërë 30 ditë. Mjaft është mjaft. Kjo duhet të ndalet tani”- thuhet në një deklaratë të shefave të disa trupave të Kombeve të Bashkuara të hënën.
Qindra protestues, shumë prej tyre anëtarë të grupit “Zëri Hebraik për Paqe”, protestuan të hënën pranë Statujës së Lirisë në Nju-Jork, duke bërë thirrje për armëpushim dhe Palestinë të lirë.
Ushtria izraelite të hënën publikoi video të tankeve duke lëvizur nëpër rrugët e bombarduara të Gazës dhe disa grupe ushtarësh duke ecur në këmbë. Forcat izraelite thonë se e kanë rrethuar qytetin Gaza.
