Netanyahu thotë se ishte e nevojshme të kritikohej publikisht ShBA-ja për armatimin
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka thënë një mediumi amerikan se kritikat e tij publike ndaj Shteteve të Bashkuara për përkrahje jo të duhur ushtarake për vendin e tij më herët këtë javë ishin “absolutisht të nevojshme” për t’u thënë publikisht.
Kur u pyet për videon kundërthënëse ku e kritikonte Shtëpinë e Bardhë për atë që thoshte se ishte ngadalësim i dërgesave të armëve, Netanyahu tha: “Ne filluam të shihnim se kishim disa problem të konsiderueshme që po shfaqeshin para disa muajve dhe, në të vërtetë, ne u munduam, në shumë, shumë biseda të heshtura mes zyrtarëve tanë dhe zyrtarëve amerikanë, dhe mes meje dhe presidentit [Joe Biden] për ta zgjidhur këtë zvogëlim të furnizimit”, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Sidoqoftë, kryeministri izraelit pretendoi se “nuk arriti ta zgjidhte këtë”, edhe pasi çështjen e kishte ngritur me sekretarin e Shtetit të ShBA-së, Antony Blinken, gjatë vizitës së amerikanit në Izrael, prandaj: “M’u duk se transmetimi i saj [kritikës] ishte absolutisht i nevojshëm pas muajve me bisedim të heshtur që nuk e zgjidhi problemin.”
Shtetet e Bashkuara këmbëngulin se kanë mbajtur pezull vetëm një dërgesë të bombave. Netanyahu ende nuk ka treguar se cilave dërgesa po u referohej, kur po ankohej rreth transferimit të armëve.
“Ky president [Joe Biden] ngriti në ajër aeroplanë luftarakë në mesin e prillit për ta ndihmuar rrëzimin e disa qindra dronëve dhe raketave, përfshirë raketat balistike që ishin hedhur nga Irani drejt Izraelit. Nuk ekziston asnjë shtet tjetër që ka bërë më shumë ose që do të vazhdojë të bëjë më shumë se Shtetet e Bashkuara për ta ndihmuar... kryeministrin Netanyahu” –tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.