Nëna e adoleshentit të vrarë i prin marshit në Paris, 40 mijë policë do të mobilizohen në Francë
Në Paris të Francës ka filluar një marsh në përkujtim të adoleshentit 17-vjeçar, Nahem M., i cili u qëllua për vdekje nga një polic francez para dy ditëve gjatë një ndaljeje në trafik.
Nëna e të riut të vrarë, Mounia, e cila e ka organizuar marshin, u pa të enjten duke i prirë një turme të konsiderueshme të njerëzve, të cilët kishin veshur bluza në të cilat shkruhej “Drejtësi për Nahelin”, raporton televizioni BBC.
Zonja Mounia tha se ajo shpreson që ky marsh do të jetë mundësi për komunitetin në Paris dhe përreth tij që ta kujtojë të birin e saj.
Nëna e viktimës po shoqërohet nga motra e Adama Traore-s, një i ri me ngjyrë që kishte vdekur në ndalim policor, pasi ishte kapur nga forcat e rendit më 2016.
Pak para fillimit të marshit, nëna e të riut dha një intervistë për mediumin francez “Blast”, duke thënë se të birin e kujton si djalë të respektueshëm dhe të sjellshëm.
Ajo tha se para se të dilte në mëngjesin e ditës që u vra, djali i tha: “Nënë, të dua”. Ajo ishte nisur për në punë dhe, pas një ore, mori një telefonatë për t’u informuar se i biri i ishte qëlluar me armë, rrëfeu gruaja e pikëlluar.
Mounia kërkoi nga të gjithë që t’i bashkohen marshit që po mbahet në Nanterre, duke thënë se nëpër atë rrugë kalonte Naheli me motoçikletë. “Ishte rrugë që ai e donte”- tha nëna e të riut të vrarë.
Ndërkohë ministri i Punëve të Brendshme i Francës, Gerald Darmanin, tha se 40 mijë policë do të mobilizohen në mbarë vendin të enjten në mbrëmje. Një ditë më parë u mobilizuan vetëm nëntë mijë pjesëtarë të forcave të sigurisë. Sidoqoftë, ai tha se nuk do të shpallet gjendje e jashtëzakonshme.
