"Në xhepin e Putinit": Kritikohet nominimi i Tulsi Gabbardit për drejtoreshë të inteligjencë kombëtare të ShBA-së - NACIONALE

"Në xhepin e Putinit": Kritikohet nominimi i Tulsi Gabbardit për drejtoreshë të inteligjencë kombëtare të ShBA-së

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka befasuar edhe me një emërim tjetër nëpër pozitat e rëndësishme të pushtetit. Ai e ka nominuar zonjën Tulsi Gabbard për ta udhëhequr inteligjencën kombëtare. Kush është ajo, çfarë është thënë për të e çfarë ka thënë ajo vetë për Rusinë, për shembull?

Zonja Gabbard është hindusja e parë e zgjedhur në Kongres, pjesë e të cilit ka qenë nga viti 2013 deri më 2021 si përfaqësuese e Partisë Demokratike nga Hawai, raporton gazeta “The Guardian”.

Ajo në të kaluarën është akuzuar për qëndrime të buta ndaj Rusisë, madje edhe për forcim të propagandës ruse.

Ish-kandidatja për presidente të Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton, në tetor të vitit 2019 kishte thënë se rusët po “krihnin” një demokrate që po garonte në zgjedhjet paraprake partiake për të marrë pjesë si kandidate e një partie të tretë dhe për t’i mbrojtur interesat e tyre, raportonte televizioni CNN.

Komenti dukej se i drejtohej Tulsi Gabbard-it, e cila është akuzuar se ka qenë e butë me Rusinë në të kaluarën, theksonte televizioni i njohur amerikan.

“Nuk jam duke bërë ndonjë parashikim, por mendoj se ata e kanë syrin te dikush që tani për tani është në zgjedhjet paraprake demokrate dhe janë duke e krehur atë që të jetë kandidate e një partie të tretë” – kishte thënë zonja Clinton. “Ajo është favorite e rusëve” – kishte shtuar ajo.

Clintoni nuk ia kishte përmendur asnjëherë emrin Gabbardit, por në atë kohë ishin vetëm pesë gra që po garonin për presidente dhe asnjëra prej katër të tjerave – Kamala Harris, Elizabeth Warren, Amy Klobuchar dhe Marianne Williamson – nuk po akuzoheshin se po fuqizoheshin nga Rusia.

Çfarë ka thënë për luftën në Ukrainë?

Gazeta e njohur amerikane, “The Washington Post”, të enjten publikoi një artikull me komente të të nominuarës së Trumpit për udhëheqëse të inteligjencës kombëtare rreth luftës në Ukrainë.

“Përderisa forcat ruse e pushtuan Ukrainën në dimrin e vitit 2022, Tulsi Gabbard, ish-kongresiste nga Hawai, që dikur ishte kandidate demokrate për president, u shfaq në rrjete sociale për t’i ofruar mendimet e saj. Shpesh, ato rreshtoheshin me narrativa të kontestuara që po promovoheshin nga Moska” – thuhet në hyrjen e artikullit të kësaj gazete, që e mban emrin e gazetarit Adam Taylor.

Vetëm disa orë pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt 2022, Gabbard shkroi në rrjetin X, atëherë të njohur si “Twitter”, duke thënë se “lufta dhe vuajtja” do të mund të ishin shmangur, nëse administrata e presidentit Biden dhe aleatët e saj do t’i kishin pranuar “shqetësimet legjitime të sigurisë të Rusisë në lidhje me bërjen e Ukrainës anëtare e NATO-s”.

Muajin pasues, ajo kishte bërë thirrje për armëpushim, duke e përmendur gjoja praninë e 25 ose më shumë “bio-laboratoreve në Ukrainë, të cilët, nëse preken, do të lironin dhe shpërndanin patogjenë vdekjeprurës” e ishin të financuar nga ShBA-ja – pretendim që është hedhur poshtë nga zyrtarë amerikanë, kur ai ishte bërë disa ditë më herët nga disa zyrtarë rusë.

Gabbard, që ishte larguar nga Partia Demokratike më 2020 dhe u bë pjesë e republikanëve këtë vit, të mërkurën u nominua nga Trumpi për drejtoreshë të inteligjencës kombëtare, pozitë që mban përgjegjësi të gjerë dhe qasje në të dhëna të klasifikuara. Komentet e saj për Rusinë në të kaluarën si dhe një udhëtim në vitin 2017 për në Siri, ku ishte takuar me presidentin e përkrahur nga Moska, Bashar al-Assad, kanë çuar te skepticizmi i ekspertëve të sigurisë kombëtare dhe ligjvënësve rreth pikëpamjeve të saj për politikën e jashtme.

“A doni vërtet që ajo t’i ketë të gjitha sekretet e Shteteve të Bashkuara dhe agjencitë tona të inteligjencës së mbrojtjes, kur ajo kaq qartë ka qenë në xhepin e Putinit” – i tha të enjten televizionit CNN senatorja Elizabeth Warren.

Deklaratat e Gabbardit për Ukrainën e vënë në pah atë që kritikët e cilësojnë si pikëpamje miqësore ndaj Moskës. Analistët e kontestojnë idenë që anëtarësimi i mundshëm i Ukrainës në NATO e ka detyruar Rusinë që ta pushtojë këtë shtet, duke theksuar se Finlanda e Suedia tashmë janë bërë pjesë e aleancës ushtarake perëndimore pa një sulm të ngjashëm nga Rusia. Në mënyrë të ngjashme, kontrolluesit e fakteve kanë thënë se pretendimet për “bio-laboratore” në Ukrainë ishin të rreme dhe fillimisht ishin shpërndarë nga llogari anonime në rrjete sociale./Nacionale

Lajme të ngjashme