Në Kongresin e ShBA-së nis të qarkullojë projektligji për blerjen e Grenlandës - NACIONALE

Në Kongresin e ShBA-së nis të qarkullojë projektligji për blerjen e Grenlandës

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Aleatët republikanë të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, po mundohen që të grumbullojnë mbështetje për një projektligj me të cilin do të autorizoheshin bisedimet për blerjen e ishullit gjigant të Grenlandës, territor autonom i Danimarkës, sipas një kopjeje të projektligjit që qarkulloi për bashkësponsorizuesit e saj të hënën.

Projektligji quhet “Akti Bëje Grenlandën të Madhe Përsëri”, thanë zyrat e kongresistëve republikanë, Andy Ogles, i cili po e udhëheq projektligjin, dhe Diana Harshbarger. Për kopjen e draftit kishte raportuar më herët televizioni “Fox News” dhe projektligji kishte 10 bashkësponsorizues deri të hënën në mëngjes, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Trumpi ka thënë se dëshiron që ta bëjë Grenlandën pjesë të Shteteve të Bashkuara dhe nuk e përjashton përdorimin e fuqisë ushtarake ose ekonomike për ta bindur Danimarkën që ta dorëzojë ishullin. Në zgjedhjet e 5 nëntorit të vitit të kaluar, republikanët fituan shumicë të ngushtë në të dyja dhomat e Kongresit – në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve.

Nëse miratohet, projektligji do ta lejojë presidentin amerikan që të hyjë në bisedime me Danimarkën që më 20 janar, kur Trumpi do të inaugurohet në Shtëpinë e Bardhë.

“Me anë të kësaj, Kongresi e autorizon Presidentin, duke filluar nga ora 12:01 pas mesnatës në Kohën Standarde Lindore më 20 janar 2025, që të kërkojë të hyjë në bisedime me Mbretërinë e Danimarkës për ta siguruar përvetësimin e Grenlandës nga Shtetet e Bashkuara” – thuhet në draftin e projektligjit.

“Jo më vonë se 5 ditë kalendarike pas arritjes së një marrëveshjeje me Mbretërinë e Danimarkës në lidhje me përvetësimin e Grenlandës nga Shtetet e Bashkuara, Presidenti do t’ua transmetojë komisioneve të duhura të Kongresit marrëveshjen, përfshirë të gjitha materialet dhe anekset përkatëse” – thuhet më tej në draft.

Grenlanda është kontrolluar nga Danimarka me shekuj, më parë si koloni dhe tani si territor gjysmësovran nën mbretërinë daneze. Ishulli është subjekt i kushtetutës së Danimarkës, që do të thotë se çfarëdo ndryshimi i statusit ligjor do ta kërkonte amendamentimin e këtij dokumenti të rëndësishëm.

Kryeministri i Grenlandës, Mute Egede, i cili e ka shtyrë përpara përpjekjen për pavarësi nga Danimarka, në mënyrë të përsëritur ka thënë se ishulli nuk është në shitje dhe se i përket popullit të Grenlandës që të vendosë për të ardhmen e vet.

Përpos Grenlandës, Trumpi ka shprehur interesim që edhe Kanadanë ta bëjë pjesë të Shteteve të Bashkuara. Kanadaja është anëtare e NATO-s dhe shteti i dytë më i madh në botë me sipërfaqe, pas Rusisë. Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka thënë se qëllimi i komenteve të Trumpit është që ta largojë vëmendjen nga pasojat që do t’i kishin taksat e paralajmëruara ndaj importeve kanadeze në ShBA.

Presidenti i zgjedhur amerikan gjithashtu ka kërcënuar se ShBA-ja mund ta rikthejë nën kontroll pas disa dekadave Kanalin e Panamasë, rrugë e rëndësishme detare që e lidh Oqeanin Atlantik me Oqeanin Paqësor, duke u ankuar se shteti i vogël “po i rrjep” me taksa anijet amerikane që kalojnë nëpër atë kanal./Nacionale

Lajme të ngjashme