“Në heshtje”: AP-ja raporton se një shtet i fuqishëm e ndihmoi Azerbajxhanin ta merrte Karabakun
Sipas disa zyrtarëve dhe ekspertëve, Izraeli e ka ndihmuar në mënyrë të heshtur fushatën e Azerbajxhanit për ta marrë nën kontroll Nagorno-Karabakun përmes ofrimit të armëve të fuqishme para ofensivës së muajit të kaluar.
Vetëm disa javë para nisjes së sulmit 24-orësh të Azerbajxhanit, aeroplanët transportues ushtarakë të këtij shteti vazhdimisht kishin fluturuar mes një baze ajrore izraelite dhe një fushe ajrore afër Nagorno-Karabakut, sipas të dhënave për përcjelljen e fluturimeve dhe sipas diplomatëve armenë, edhe pse qeveritë perëndimore po bënin thirrje për bisedime të paqes, raporton agjencia “Associated Press”.
Këto fluturime i zemëruan zyrtarët armenë në Jerevan, që për një kohë të gjatë kanë qenë të kujdesshëm për aleancën strategjike mes Izraelit dhe Azerbajxhanit, dhe hodhën dritë mbi interest kombëtare të Izraelite në rajonin jugor të Kaukazit.
“Për ne, është shqetësim i madh që armët izraelite janë shkrepur ndaj njerëzve tanë”- i tha agjencisë AP ambasadori i Armenisë në Izrael, Arman Akopian. Në një stuhi të kontakteve diplomatike, ai tha se e kishte shprehur alarmin para politikanëve dhe ligjvënësve izraelitë javëve të fundit rreth dërgesave të armëve izraelite.
“Nuk shoh pse Izraeli nuk duhet të jetë në pozicionin që të shprehë të paktën ca shqetësim për fatin e njerëzve që po dëbohen nga atdheu i tyre”- shtoi ambasadori armen.
Sulmi i rrufeshëm i Azerbajxhanit në shtator, ku u përfshinë artileria e rëndë, raketahedhësit dhe dronët – kryesisht të marrë nga Izraeli dhe Turqia, sipas ekspertëve – i detyruan autoritetet separatiste armene që t’i ulnin armën dhe të uleshin për bisedime rreth së ardhmes së rajonit.
Ministria e Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes e Izraelit refuzuan që t’i komentonin përdorimin e armëve izraelite në Nagorno-Karabak ose shqetësimin e Armenisë për bashkëpunimin ushtarak të Izraelit me Azerbajxhanin. Në korrik, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, e vizitoi kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, ku e vlerësoi lart bashkëpunimin ushtarak të të dyja vendeve dhe “luftën kundër terrorizmit”.
Izraeli ka interesa të rëndësishme në Azerbajxhan, shtet që shërben si burim kritik i naftës dhe që është aleat i palëkundshëm kundër Iranit. Azerbajxhani është edhe blerës fitimprurës i armëve të sofistikuara.
“Nuk ka dyshim për pozicionin tonë në përkrahje të mbrojtjes së Azerbajxhanit. Ne kemi një bashkëpunim strategjik për ta frenuar Iranin”- tha ish-ambasadori i Izraelit në Azerbajxhan, Arkady Milman.
Diplomati armen, Tigran Balayan, tha: “Për ne është e qartë se Izraeli ka një interes për mbajtjen e një pranie ushtarake në Azerbajxhan, duke e përdorur territorin e tij për ta vëzhguar Iranin.”
Pak vende kanë përfituar më shumë nga marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve se kontraktorët ushtarakë izraelitë. Ekspertët vlerësojnë se Izraeli e ka furnizuar Azerbajxhanin me gati 70 për qind të arsenalit në periudhën 2016 – 2020 – duke u dhënë azerëve përparësi kundër Armenisë dhe duke e fuqizuar industrinë izraelite të mbrojtjes.
Pieter Wezeman, hulumtues i lartë në Institutin Ndërkombëtar të Stokholmit për Studime të Paqes, tha se raketat izraelite me rreze të gjatë dhe dronët shpërthyes i kanë mbështetur forcat ajrore azere, ndërsa sistemi raketor kundërajror, “Barak-8”, e ka mbrojtur hapësirën ajrore të Azerbajxhanit përmes rrëzimit të raketave e të dronëve.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

