Alijevi i i refuzon bisedimet me Armeninë: E kërkoi praninë e Turqisë, Franca e Gjermania u ankuan
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka vendosur që të mos marrë pjesë në një ngjarje të ndërmjetësuar nga BE-ja në Spanjë, ku do të mund të zhvillonte bisedime me kryeministrin e Armenisë, Nikol pasahinyan, raportuan të mërkurën mediat shtetërore azere.
Aliyevi e kishte shqyrtuar pjesëmarrjen në takimin pesëpalësh në Granada të Spanjës të enjten me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Armenisë dhe me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, raporton agjencia “Reuters”.
Pesë udhëheqësit pritej të diskutonin për të ardhmen e rajonit të Nagorno-Karabakut pas marrjes së kontrollit të plotë nga forcat azere gjatë operacionit ushtarak 24-orësh më 19 shtator dhe për ta rishikuar progresin e bisedimeve të gjata të paqes mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.
Agjencia shtetërore azere e lajmeve, APA, duke cituar burime të paidentifikuara, tha se Aliyevi ka vendosur që të mos marrë pjesë në këtë takim. Sipas kësaj agjencie, presidenti azer kishte dashur që e pranishme në takim të ishte edhe Turqia, por se Franca dhe Gjermania ishin ankuar, dhe se Bakuja e kishte ndjenjën se një “atmosferë anti-azere” ishte zhvilluar në mesin e pjesëmarrësve të mundshëm në takim.
Në veçanti, agjencia APA e përmendi atë që e quajti pakënaqësi në Baku rreth deklaratave të Michelit dhe të atyre që i cilësoi “deklarata pro-armene” nga zyrtarët francezë si dhe për vendimin e Francës, të njoftuar të martën, për ta furnizuar Armeninë me pajisje ushtarake.
Agjencia APA tha se Azerbajxhani nuk do të marrë pjesë në asnjë palë bisedime në të ardhmen ku përfshihet Franca, por se vendi mbetet potencialisht i hapur ndaj takimeve trepalëshe me BE-në dhe Armeninë.
