“Në Bejrut, Damask e vende më të largëta”: Ç’po paralajmëron ministri izraelit i Mbrojtjes?
Duke aluduar në sulmet e dyshimta ajrore të Izraelit në Siri gjatë natës së kaluar, ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, tha se ushtria izraelite “do ta zgjerojë fushatën [kundër Hezbollahut] dhe do ta ngrejë shkallën e sulmeve në veri”.
“Izraeli po kthehet nga mbrojtja në ndjekje të Hezbollahut, ne do të arrijmë kudo që operon organizata, në Bejrut, Damask dhe në vende më të largëta” – tha ministri izraelit pas një vlerësimi në Komandën Veriore të ushtrisë izraelite në Safed, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Në 24 orët e fundit, një komandant i lartë i Hezbollahut u vra gjatë një sulmi izraelit me dron në jug të Libanit, ndërsa pesë anëtarë të këtij grupi ishin në mesin e 38 të vrarëve nga sulmet e dyshimta ajrore izraelite në Alepo të Sirisë.
Gallanti tha se ai e vëzhgoi këtë mëngjes sulmin ndaj Ali Naimit, nënkomandant i njësisë së raketave në grupin e Hezbollahut.
The IDF says it eliminated the deputy commander of Hezbollah's rocket unit in a drone strike in southern Lebanon earlier today.
— Emanuel (Mannie) Fabian (@manniefabian) March 29, 2024
Ali Naim was struck while in a car in the town of Bazouriye, close to Tyre this morning.
According to the IDF, Naim is "considered to be a significant… pic.twitter.com/CzXqiHxFVl
“Ai që është përgjegjës për dëmin serioz në Liban është Hezbollahu dhe ai që është përgjegjës për viktimat e shumta në grupin Hezbollah është [Hassan] Nasrallahu personalisht. Ata kanë mbi 320 terroristë të vrarë dhe ne do të nxjerrim një çmim për cilindo veprim që vjen nga Libani. Kudo që duhet të veprojmë, do të veprojmë” – tha ministri Gallant.
Ç’ndodhi në Siri?
Të paktën 36 persona janë vrarë nga sulmet ajrore afër qytetit Alepo të Sirisë, thonë raportimet.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Siri citoi një burim ushtarak të ketë thënë se sulmet izraelite goditën disa zona në orën 1 e 45 minuta të mëngjesit të së premtes, raporton televizioni BBC.
Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë me bazë në Britani, tha se në shënjestër të sulmeve ishin disa depo armësh që përdoreshin nga grupi libanez i përkrahur nga Irani, Hezbollah.
Izraeli zakonisht nuk i komenton sulmet kundër Sirisë.
Duke cituar dy burime të sigurisë, agjencia e lajmeve “Reuters” raportoi se pesë luftëtarë të Hezbollahut janë në mesin e të vdekurve dhe se shifra e përgjithshme e të vrarëve është 38.
Ministria e Mbrojtjes e Sirisë tha se në mesin e të vrarëve kishte edhe civilë dhe pjesëtarë të personelit ushtarak.
Grupi vëzhgues SOHR, që ka rrjet të gjerë kontaktesh në Siri, tha se dhjetëra njerëz të tjerë u plagosën nga këto sulme dhe se zonat që u vunë në shënjestër ndodhen afër Aeroportit Ndërkombëtar të Alepos.
Që nga shpërthimi i luftës civile në Siri më 2011, Izraeli ka kryer qindra sulme ndaj këtij shteti, kryesisht duke vënë në shënjestër grupe aleate të Iranit, mbështetëse të konsiderueshme të Hamasit palestinez.