NATO-ja me deklaratë të përbashkët me BE-në, premton fuqizim të ndihmës për Ukrainën
NATO-ja është zotuar për ta fuqizuar përkrahjen për Ukrainën pas nënshkrimit të një deklarate të përbashkët me udhëheqësit e Bashkimit Evropian të martën.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e cilësoi “bashkëpunimin strategjik” mes BE-së e aleancës “më të rëndësishëm se kurrë më parë”, kur pushtimi rus i Ukrainës po u afrohet 11 muajve.
“Ne duhet të vazhdojmë që ta fuqizojmë bashkëpunimin mes NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe duhet ta fuqizojmë më tej përkrahjen tonë për Ukrainën”- tha sekretari Stoltenberg në Bruksel, pasi e nënshkroi deklaratën e tretë të përbashkët BE – NATO me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.
“Ne dimë se duhet ta fuqizojmë dhe tani ta thellojmë këtë bashkëpunim më të vjetër se 20 vjet, sepse siguria e Evropës është sfiduar dhe është nën kërcënim”- tha para gazetarëve zonja Von der Leyen.
Bashkëpunimi BE – NATO do të bëhet “edhe më i rëndësishëm posa Finlanda dhe Suedia të bëhen anëtare të plota të NATO-s me pranimin e tyre”- shtoi zyrtarja e lartë evropiane.
Presidentja e Komisionit Evropian e përmendi sabotimin e gazsjellësit “Rrjedha Veriore” si shembull për nevojën “që të merret më shumë përgjegjësi për sigurinë e infrastrukturës sonë të rrjetit”.
Ajo e vuri në pah edhe rëndësinë e mbajtjes së “presionit ndaj Kremlinit”, duke thënë se Bashkimi Evropian do t’u vendosë së shpejti sanksione shteteve, përfshirë Bjellorusinë e Iranin, të cilat e përkrahin ushtarakisht luftën e Rusisë në Ukrainë.
NATO-ja ka qenë e palëkundur gjatë përkrahjes së Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus në shkurtin e vitit të kaluar. Shtetet e kësaj aleance i kanë dhuruar Ukrainës armë dhe ndihma të tjera me vlerë të miliarda eurove.

