Natë tragjike në Kharkiv, nëntë civilë të vrarë e 35 të plagosur nga granatimet ruse
Nata e kaluar ka qenë një nga më tragjiket për rajonin e Kharkivit që nga fillimi i pushtimit rus, pasi forcat ruse nisën sulme me raketa në shtëpi banimi duke lënë të vrarë nëntë civilë e duke plagosur 35 të tjerë.
Sipas Ukrinform, lajmi për sulmin është bërë i ditur nga kreu i Administratës Ushtarake Rajonale të Kharkiv, Oleh Syniehubov.
“Gjatë natës, rusët nisën sulme masive me raketa në Kharkiv. Terroristët rusë shënjestruan sërish lagjet paqësore “të fjetura” me civilë”, ka shkruar Syniehubov në Telegram.
Sipas tij, rreth orës 21:30, një raketë ruse, me sa duket e lëshuar nga sistemi Iskander, ka goditur një shtëpi 3-katëshe në distriktin Saltivskyi, ku sipas të dhënave - nga shpërthimi vdiqën shtatë civilë dhe 17 të tjerë u plagosën, mes tyre një fëmijë 11-vjeçar.
Më pas njoftohet se në orët e para të mëngjesit trupat ruse kanë hedhur raketa të tjera në Belgorod, në rajonin e Kharkiv duke shkaktuar dëme në ndërtesa dhe objekte të shumta.
“Në rrethin Slobidskyi, një nga raketat goditi një konvikt 4-katësh. Ndërtesa u shkatërrua pjesërisht. Për momentin raportohet se dy civilë janë vrarë dhe 18 janë plagosur, mes tyre dy fëmijë. Efektet përfundimtare ende nuk janë raportuar. Të gjitha shërbimet speciale janë duke punuar në vendngjarje,” ka bërë të ditur Syniehubov.
Përveç kësaj, rreth orës 04:00 të mëngjesit, trupat ruse kanë nisur një sulm tjetër me raketa në qytetin Krasnohrad, duke vrarë dy civilë dhe plagosur dy të tjerë, përfshirë një fëmijë 12-vjeçar.
Sipas Syniehubov, tani pushtuesit rusë po përqendrojnë përpjekjet për të ruajtur kufijtë e kapur dhe për të bombarduar pozicionet ukrainase me sisteme të shumta raketore dhe artileri.