“Mund ta humbim luftën”: Zyrtari i lartë izraelit thotë se ShBA-ja po i ngadalëson ndihmat ushtarake - NACIONALE

“Mund ta humbim luftën”: Zyrtari i lartë izraelit thotë se ShBA-ja po i ngadalëson ndihmat ushtarake

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një zyrtar i lartë izraelit thotë se Shtetet e Bashkuara kanë filluar që t’i ngadalësojnë disa ndihma ushtarake për Izraelin – pohim që u mohua nga zyrtarë të lartë amerikanë. Kjo ankesë ndoshta është dëshmi se marrëdhënia mes dy aleatëve po bëhet gjithnjë më e tensionuar.

Sipas një zyrtari të lartë izraelit, i cili foli në kushte anonimiteti, dërgesat ushtarake të ShBA-së në fillim të luftës Izrael – Hamas “po vinin shumë shpejt”, por “ne tani po shohim se janë shumë të ngadalshme”, gjë që i ka bërë presion Izraelit, përderisa po mundohet që ta shkatërrojë Hamasin në Gaza, raporton mediumi amerikan “ABC News”.

Zyrtari tha se nuk ishte i sigurt se cili është shkaktari, por se Izraeli është plotësisht i vetëdijshëm për zemërimin e Shteteve të Bashkuara me luftën dhe se Izraeli duhet të bëjë më shumë për të ofruar ndihma humanitare në Gaza.

Kur u pyetën për pretendimin e tij, disa zyrtarë amerikanë thanë se nuk ka ndryshim të politikës së ShBA-së ose ndonjë vonesë të qëllimshme rreth dërgimit të ndihmave të premtuara më parë ose armëve të shitura në Izrael.

Sipas një marrëveshjeje 10-vjeçare të negociuara nga presidenti i atëhershëm i ShBA-së, Barack Obama, ShBA-ja i ofron Izraelit rreth 3,8 miliardë dollarë sisteme ushtarake e të mbrojtjes raketore për çdo vit.

Zyrtarët amerikanë thonë se ka pasur diskutime se çfarë lloji të epërsisë mund të ketë ShBA-ja me Izraelin për t’i bërë presion Netanyahut që të bëjë më shumë për mbrojtjen e civilëve, sidomos kur tani po shqyrtohet zgjerimi i operacioneve ushtarake përmes pushtimit të qytetit jugor të Gazës, Rafah.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë gjithashtu theksuan se nuk është marrë ndonjë vendim nëse do të përdoret ndonjë epërsi ndaj Izraelit dhe shtuan se është e mundshme që këtij shteti t’i jepen ndihma shtesë – jo më pak – si masë nxitëse, përcjell gazeta Nacionale.

Kur u pyet për ngadalësimin e mundshëm të ndihmave ose shitjeve ushtarake, këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, John Kirby, tha se Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë që t’ia ofrojnë Izraelit atë për të cilën ka nevojë.

“Nuk do të futem në afate për secilin sistem që po ofrohet. Ne vazhdojmë që ta përkrahim Izraelin për nevojat e tij vetëmbrojtëse. Kjo nuk do të ndryshojë dhe ne kemi qenë shumë, shumë të drejtpërdrejtë për këtë” – tha ai.

Sidoqoftë, sipas zyrtarit të lartë izraelit, mungesë gjithnjë më e madhe vërehet për predhat 155-milimetërshe të artilerisë dhe predhat 120-milimetërshe të tankeve. ShBA-ja e ka furnizuar me municion të ngjashëm edhe Ukrainën, shtet që gjithashtu ka raportuar se po i harxhohen predhat 155-milimetërshe.

Zyrtari i lartë tha se nevojiten edhe disa pajisje të ndjeshme drejtuese, por refuzoi që të ofronte hollësi. Ai shtoi se çfarëdo vonese është veçanërisht shqetësuese, sepse edhe shtetet evropiane tani po ngurrojnë që t’i shesin armë Izraelit.

Më tej, ai tha se Izraeli “mund ta humbë këtë luftë”, sepse për të fituar, vendi ka nevojë për municion dhe legjitimitet dhe se të dyja po fillojnë që të harxhohen.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit refuzuan që ta komentonin këtë çështje për televizionit “ABC News”.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme