Moska thotë se Ukraina ka sulmuar një fshat në Rusi me municion thërrmues - NACIONALE

Moska thotë se Ukraina ka sulmuar një fshat në Rusi me municion thërrmues

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ukraina shkrepi municion thërrmues në një fshat rus afër kufirit me Ukrainën të martën, duke dëmtuar disa shtëpi, tha guvernatori i rajonit Bryansk të Rusisë.

Sipas të dhënave preliminare, nuk ka pasoja në njerëz nga bombardimi i fshatit Klimovo, shkroi në rrjetin “Telegram” guvernatori Alexander Bogomaz.

Agjencia “Reuters” nuk ka mundur që ta vërtetojë në mënyrë të pavarur deklaratën e tij, që e bëri pa paraqitur dëshmi pamore. Nuk pati koment të menjëhershëm nga Ukraina.

Ukraina është furnizuar me municion thërrmues nga Shtetet e Bashkuara, por është zotuar se do ta përdor këtë lloj armatimi vetëm për t’i dëbuar grumbujt e ushtarëve të armikut.

Zyrtarët rus në Bryansk dhe në rajone të tjera në kufi me Ukrainën vazhdimisht e kanë akuzuar Kievin për bombardime pa dallim nga forcat e armatosura ukrainase.

Municioni thërrmues është i ndaluar në më shumë se 100 shtete. Përmes tij shpërndahen bomba më të vogla nga një bombë ose raketë më e madhe dhe kështu mund të vriten njerëz pa dallim në një sipërfaqe më të gjerë.

Bombat që nuk shpërthejnë menjëherë mund të paraqesin rrezik me dekada të tëra.

Lajme të ngjashme