Ndryshe nga ShBA-ja, Gjermania kundër furnizimit të Ukrainës me municion thërrmues - NACIONALE

Ndryshe nga ShBA-ja, Gjermania kundër furnizimit të Ukrainës me municion thërrmues

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjermania e kundërshton dërgimin e municionit thërrmues në Ukrainë, tha të premten kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, një ditë pasi zyrtarët amerikanë thanë se Uashingtoni ishte duke e planifikuar furnizimin e Kievit me armë të tilla, të kundërshtuara gjerësisht për shkak të vrasjes dhe gjymtimit të civilëve.

Organizatat për të drejtat e njeriut e kundërshtojnë ofrimin e këtyre armëve dhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë, zonja Baerbock, tha se edhe vendi i saj, që është në mesin e 111 shteteve që janë palë të Konventës për Municionet Thërrmuese, është kundër këtij veprimi. Shtetet e Bashkuara nuk janë palë në këtë konventë, raporton agjencia “Reuters”.

Kur u pyet për një koment rreth asaj që e kanë thënë zyrtarët amerikanë, ministrja gjermane u tha gazetarëve në një konferencë për klimën në Vjenë: “I kam ndjekur raportimet e mediave. Për ne, si shtet palë, vlen marrëveshja e Oslos.”

Kryediplomatja po i referohej Konventës për Municionet Thërrmuese, e cila u hap për nënshkrim në kryeqytetin norvegjez më 2008. Kjo konventë i ndalon përdorimin, grumbullimin, prodhimin dhe transferimin e municioneve thërrmuese, të njohura edhe si “kasetë-bomba”.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se dërgimi i municionit thërrmues në Ukrainë është “nën shqyrtim aktiv”, por nuk ka dhënë ndonjë njoftim. Presidenti amerikan, Joe Biden, do të marrë pjesë në samitin e NATO-s javën e ardhshme në Lituani, ku temë kryesore pritet të jetë lufta në Ukrainë.

Organizata e njohur ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, “Human Rights Watch”, u ka bërë thirrje Rusisë dhe Ukrainës që ta ndërpresin përdorimin e municionit thërrmues, ndërsa ShBA-së që të mos ofrojë armë të tilla. Kjo organizatë ka thënë se edhe Rusia, edhe Ukraina kanë përdorur municion thërrmues që ka vrarë civilë ukrainas.

Përmes municionit thërrmues shpërndahen shumë bomba të vogla që mund të vrasin njerëz pa dallim në sipërfaqe më të gjerë, duke i rrezikuar civilët. Bombat e vogla që nuk shpërthejnë, paraqesin rrezik për një kohë të gjatë pas përfundimit të konfliktit.

Lajme të ngjashme