Mjekët në grevë, Koreja Jugore do të dërgojë mjekë ushtarakë në spitale
Koreja Jugore do të dërgojë mjekë ushtarakë dhe të komuniteteve në spitale brenda disa ditëve të ardhshme si pjesë e masave emergjente për ta përkrahur sistemin shëndetësor pas grevës masive të mjekëve në specializim, tha të mërkurën kryeministri i këtij shteti aziatik, Han Duck-soo.
Ai gjithashtu u bëri thirrje mjekëve të rinj që të kthehen në punë të enjten, afat që është caktuar nga Qeveria, dhe tha se autoritetet do t’i dëgjojnë shqetësimet e tyre, raporton agjencia “Reuters”.
“Qeveria kupton plotësisht se mjekët në specializim kanë shqetësime serioze për mjedisin e punës dhe karrierën në të ardhmen dhe ne po kërkojmë masa për ta përmirësuar këtë nga një numër perspektivash” – tha kryeministri në një takim të kabinetit.
Një e treta e mjekëve të rregullt dhe të rinj kanë hyrë në grevë në shenjë proteste kundër një plani qeveritar për ta rritur numrin e studentëve që do të pranohen në shkolla të mjekësisë në përpjekje për ta adresuar atë që autoritetet thonë se është mungesë e mjekëve.
Mjekët e rinj që po protestojnë, thonë se Qeveria së pari duhet t’i adresojë kushtet e punës dhe pagat para se të mundohet që ta rrisë numrin e mantelbardhëve.
Qeveria ka paralajmëruar se mund t’ua pezullojë licencat mjekëve që nuk e respektojnë urdhrin për t’u kthyer në vendin e punës.
Duke filluar nga muaji i ardhshëm, mjekët që janë duke shërbyer në ushtri dhe në klinika lokale, në vend të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, do të caktohen për të shërbyer në spitalet e prekura nga greva e mjekëve, bëri të ditur kryeministri Duck-soo.
Rreth nëntë mijë mjekë të rinj i janë bashkuar protestës, duke i penguar shërbimet në spitale të mëdha, që janë detyruar që të kthejnë prapa pa trajtim disa pacientë dhe të anulojnë operacione.
Edhe mjekët me përvojë dhe praktikantët privatë e kanë kundërshtuar planin qeveritar për ta rritur numrin e studentëve në shkolla të mjekësisë, duke thënë se komuniteti mjekësor nuk është konsultuar mjaftueshëm.
Presidenti i vendit, Yoon Suk Yeol, ka thënë se ky plan, që ka përkrahje të gjerë në mesin e koreanëve, nuk ishte për diskutim dhe se nuk ka justifikim që mjekët të largohen nga vendi i punës.