Mjekët e Sri-Lankës paralajmërojnë për mungesë barnash: “Mos u sëmurni”
Mos u sëmurni dhe mos bëni aksidente. Kjo është këshilla që mjekët në Sri-Lankë po u japin pacientëve, kur kriza ekonomike e vendit e ka lënë sistemin shëndetësor me mungesë barnash dhe furnizimesh të tjera jetike.
Associated Press
Shteti i Azisë Jugore nuk ka të holla për t’i paguar importet elementare, si ushqimi dhe karburantet, ndërsa edhe ilaçet po harxhohen. Telashe të tilla paraqesin rrezik që ta zhbëjnë përparimin e shënuar në sektorin e shëndetësisë në dekadat e fundit.
Disa mjekë po mundohen që përmes rrjeteve sociale të sigurojnë furnizime ose fonde për blerjen e tyre. Ata po u bëjnë thirrje edhe bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit për ndihmë. Deri më tani, nuk ka shenja të fundit të krizës, që e ka zhytur vendin në kaos politik e ekonomik.
Kjo nënkupton se 15-vjeçarja, Hasini Wasana, mund të mos i marrë ilaçet për të cilat ka nevojë që ta mbrojë veshkën e transplantuar. E diagnostikuar me një sëmundje veshkash qëkurse ishte fëmijë i vogël, ajo iu nënshtrua operacionit për transplantim para nëntë muajve dhe duhet të përdorë një ilaç imuniteti çdo ditë gjatë tërë jetës për t’ia parandaluar organizmit refuzimin e organit të vendosur.
Familja e vajzës së re tash po varet nga donatorët, sepse spitali nuk mund t’i ofrojë më tableta “Tacrolimus”, të cilat ajo i merrte falas deri para disa javëve. Ajo merr tetë tableta e gjysmë në ditë dhe kostoja shkon në mbi 200 dollarë në muaj vetëm për këtë ilaç.

“Po na thuhet (nga spitali) që nuk dinë se kur do ta ketë këtë ilaç përsëri”, tha Ishara Thilini, motra e madhe e Hasinit.
Familja e shiti shtëpinë dhe babai i vajzës u punësua në Lindje të Mesme për ta paguar trajtimin e saj mjekësor, por të ardhurat e tij zor se mjaftojnë, shkruan "Associates Press".
Edhe spitalet e kancerit po ballafaqohen me vështirësi për të siguruar ilaçe esenciale për t’u ofruar trajtim të pandërprerë pacientëve.
“Mos u sëmurni, mos u lëndoni, mos bëni pa nevojë asgjë që do të ndikojë që ju të shkoni për trajtim në spital”, tha Samath Dharmaratne, kryetar i Shoqatës Mjekësore të Sri-Lankës. “Kështu e shpjegoj unë këtë. Kjo është situatë serioze”, shtoi ai.
Dr. Charles Nugawela, që udhëheq një spital për sëmundje të veshkave në kryeqytetin e Sri-Lankës, Kolombo, tha se puna në spital ka vazhduar falë zemërgjerësisë së donatorëve, por ka vendosur që t’u ofrojë ilaçe vetëm pacientëve me sëmundje të avancuar deri në fazën kur ata kanë nevojë për dializë.
Mjeku brengoset se spitali mund t’i anulojë të gjitha operacionet përpos atyre urgjente për shkak të materialit për qepje.

Spitalet kanë mungesë të ilaçeve kundër tërbimit, epilepsisë dhe sëmundjeve ngjitëse seksuale. Laboratorët nuk kanë reagjentë që nevojiten për testim të plotë të gjakut.
“Nëse merreni me kafshë, jini të kujdesshëm. Nëse kafshoheni dhe keni nevojë për operacion e prekeni nga tërbimi, nuk kemi serum të duhur dhe vaksina kundër tërbimit”, tha Surantha Perera, nënkryetar i Shoqatës Mjekësore të Sri-Lankës.
Kryeministri i Sri-Lankës, Ranil Wickremesinghe, ka bërë thirrje për ndihmë. Shtetet e Bashkuara, Japonia, India dhe disa vende të tjera janë zotuar se do të dhurojnë fonde dhe përkrahje tjetër humanitare.
Sipas kryeministrit, këto ndihma dhe asistenca shtesë nga Banka Botërore, Banka Aziatike për Zhvillim dhe agjenci të tjera do të sigurojnë furnizime mjekësore deri në fundin e vitit të ardhshëm./Përktheu: Nacionale