Misionari amerikan që hapi jetimore në Haiti akuzohet se abuzoi seksualisht me katër djem - NACIONALE

Misionari amerikan që hapi jetimore në Haiti akuzohet se abuzoi seksualisht me katër djem

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një themelues amerikan i një jetimoreje kishte detyruar katër djem që jetonin në atë institucion që të përfshiheshin në akte seksuale para më shumë se një dekade, tha të premten një prokurore.

Michael Geilenfeld, 71 vjeç është “grabitqar seksual i rrezikshëm, manipulues e dinak i fëmijëve” që me dekada ka bërë “gjah” ndaj fëmijëve të varfër gjatë punës jashtë vendit si misionar, gjatë një seance ndalimi në gjykatën federale të Denverit prokurorja e Departamentit të Drejtësisë, Jessica Urban.

Deklarata e saj e shënoi herën e parë që autoritetet kanë zbuluar hollësi të hetimit që çoi në ngritjen e aktakuzës kundër Geilenfeldit më 18 janar në Florida nën akuzat për abuzim seksual të fëmijëve. Prokurorja Urban, duke folur përmes video-lidhjes, i paraqiti dëshmitë për ta mbështetur argumentimin e saj se Geilenfeldi nuk duhet të lirohet me kusht gjatë trajtimit të rastit. Ajo tha se autoritetet kanë frikë se ai ose përkrahësit e tij do të mundohen që t’i frikësojnë viktimat për t’ua parandaluar dhënien e dëshmive kundër tij, raporton agjencia “Associated Press”.

Gjykatësi Scott Varholak e shtyu marrjen e një vendimi, duke thënë se kishte nevojë për më shumë të dhëna për situatën e jetesës së Geilenfeldit në Kolorado, ku u arrestua javën e kaluar.

Avokati i të akuzuarit, Robert Oberkoetter, gjithashtu duke u paraqitur përmes video-lidhjes të premten, i tha gjykatës se klienti i tij kishte vend pune me orar të plotë për t’u kujdesuar për qiradhënësen e tij dhe fëmijën e saj me aftësi shumë të kufizuara.

Në aktakuzën e ngritur në Florida, Geilenfeldi akuzohet se kishte udhëtuar nga MiamiHaiti “me qëllim të përfshirjes në çfarëdo sjelljeje të paligjshme seksuale me një person tjetër nën moshën 18-vjeçare”.

Sipas aktakuzës, abuzimet kanë ndodhur nga nëntori i vitit 2006 deri në dhjetor të vitit 2010, periudhë kur Geilenfeldi vepronte në jetimoren “Shtëpia e Shën Jozefit për Djem”. Nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet më së shumti me 30 vite burgim.

Autoritetet në Haiti për një kohë të gjatë i kanë hetuar dyshimet për abuzim seksual nga Geilenfeldi dhe e kishin arrestuar atë në shtator të vitit 2014 duke u mbështetur në akuzat kundër tij nga një mbrojtës i fëmijëve në Maine, Paul Kendrick.

Kendrick-u e ka akuzuar Geilenfeldin se është pedofil serik pas bisedave me burra të rinj, të cilët kanë pretenduar se ishin abuzuar nga Geilenfeldi kur ishin djem në Port-au-Prince, kryeqytet i Haitit, ku i akuzuari e kishte hapur jetimoren më 1985.

Geilenfeld i quajti akuzat “gënjeshtra të liga e të ulëta” dhe rasti i tij ishte hedhur poshtë më 2015, pasi kishte kaluar 237 ditë në burg në Haiti.

Lajme të ngjashme