Ministri Smotrich: Izraeli do ta “fshijë shtetin palestinez”, do të rindërtojë vendbanime në Bregun Perëndimor
Ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, i cili gjithashtu është zyrtar brenda Ministrisë së Mbrojtjes, thotë se është duke punuar për rikthimin e ish-vendanimeve izraelite Ganim dhe Kadim në pjesën veriore të Bregut Perëndimor, të cilat ishin evakuuar dhe çmontuar si pjesë e marrëveshjes së vitit 2005.
Ministri me qëndrime të së djathtës ekstreme i tha gazetës “Ofek” të partisë Zionizmi Religjioz se shpreson që ta shohë realizimin e këtij plani “në javët në vijim”, për të përkuar me 20-vjetorin e tërheqjes nga Gaza dhe nga katër vendbanime të Bregut Perëndimor, transmeton gazeta “The Times of Israel”.
“Popull i Izraelit po e korrigjon mëkatin e Gazës” – tha ai, duke iu referuar nismës së aktivistëve kolonë për rindërtimin e bllokut banues Gush Katif, “dhe unë shpresoj se ne do të jemi në gjendje që ta korrigjojmë plotësisht mëkanin e Samarias veriore”, shtoi ministri.
Më herët këtë vit, Izraeli miratoi plane për rindërtimin e vendbanimeve Sa-Nur dhe Homesh, të cilat ishin çmontuar bashkë me vendbanimet Ganim dhe Kadim gjatë zbatimit të marrëveshjes për tërheqje.
Ministri Smotrich i tha gazetës së partisë së tij se synimi i planeve për Bregun Perëndimor janë që “të fshihet shteti palestinez” dhe të parandalohet në të ardhmen një ngjarje tjetër e ngjashme me atë të 7 tetorit të vitit 2023.
“Një pjesë e madhe e asaj që ne jemi duke e bërë sot në Judea dhe Samaria është produkt i mësimeve nga 7 tetori” tha ai, duke pretenduar se “një shumicë absolute” e izraelitëve dinë se qëllimi i vendbanimeve të Bregut Perëndimor është që të sigurohet se “Kfar Saba nuk do të jetë Kfar Aza, Netanya nuk do të jetë Be’eri dhe Nitzanei Oz nuk do të jetë Nahal Oz”./Nacionale