Ministri i Mbrojtjes: Gjermania s’mund t’i plotësojë tërësisht boshllëqet e ushtrisë as deri më 2030
Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, citohet të ketë thënë se ushtria gjermane nuk do të mund t’i plotësojë tërësisht boshllëqet ekzistuese as deri në vitin 2030, kur Berlini po synon që t’i rindërtojë forcat e armatosura pas neglizhencës së gjatë e pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës.
“Të gjithë e dimë se boshllëqet ekzistuese nuk mund të mbyllen plotësisht deri më 2030... Do të nevojiten vite. Çdokush është i vetëdijshëm për këtë”- tha ministri Pistorius në një intervistë për gazetën “Welt am Sonntag”, përcjell agjencia “Reuters”.
Tashmë e konsumuar nga mungesa e investimeve me dekada që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, ushtria gjermane është në gjendje edhe më të keqe, duke i marrë parasysh se shumica e armëve dhe municioneve që i janë dhuruar Ukrainës nuk janë zëvendësuar, thonë ekspertët.
Ministri gjerman i refuzoi dërgesat e mëtejme të armëve në Ukrainë nga rezervat e ushtrisë gjermane përtej zotimeve të njoftuara.
“Që ta them troç, si kombet e tjera, edhe ne kemi inventar të kufizuar. Si ministër federal i Mbrojtjes, nuk mund të dhuroj gjithçka”- tha ai.
Ministri i emëruar më herët këtë vit tha se prioriteti i tij më i lartë është rritja e buxhetit të mbrojtjes për ta arritur cakun e NATO-s prej 2 për qind të prodhimit vendës bruto, nga rreth 1,5 për qind sa është aktualisht.
Gjermania është duke planifikuar edhe një mision detar në rajonin e Indo-Paqësorit për vitin e ardhshëm dhe është duke i shpeshtuar bashkëpunimet me shtetet kyçe në atë pjesë të botës, si Japonia, Australia, India, Indonezia, Koreja Jugore dhe Singapori, tha ministri, duke shtuar se liria e lëvizjes në dete atje është “shumë e sfiduar”.

