Scholz: Duam që India të na ndihmojë, ose të paktën të mos e bllokojë izolimin e Rusisë
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha të shtunën se vendi i tij dëshiron që India t’i përkrahë, ose të paktën mos t’i bllokojë përpjekjet perëndimore për izolimin e Rusisë për shkak të luftës kundër Ukrainës.
Pas takimit me kryeministrin indian, Narendra Modi, në Neë Delhi, kancelari gjerman theksoi se shtetet në zhvillim po ndikohen negativisht nga mungesa e energjisë dhe e ushqimit, e cila po rezulton nga lufta dhe shpreson që India do të ofrojë ndihmë për të siguruar furnizime kritike për Azinë, Afrikën dhe Amerikat, raporton agjencia “Associated Press”.
Në anën tjetër, kryeministri indian e mbajti qëndrimin e tij të kujdesshëm dhe tha se India dëshiron që konflikti të përfundojë përmes dialogut dhe diplomacisë. “India është e gatshme që ta japë kontributin e saj në çfarëdo nisme për paqe”- tha Modi.
Ai është përmbajtur nga çfarëdo kritike ndaj Rusisë, pasi Moska është furnizuese e rëndësishme e Indisë për armë, naftë dhe për nevoja të tjera ekonomike.
Scholz-i tha se lufta e Rusisë kundër Ukrainës “i shkel parimet themelore të asaj për të cilën ne të gjithë pajtohemi – për mosndryshimin e kufijve përmes përdorimit të forcës”.
Kancelari gjerman arriti për vizitë në kryeqytetin indian të shtunën. Ai diskutoi me Modin edhe për mënyrat e fuqizimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Ai tha se përkrah një marrëveshje për tregti të lirë mes Bashkimit Evropian dhe Indisë, duke shtuar: “Personalisht do të sigurohem që kjo nuk do të zvarritet.”
Ky është udhëtimi i parë zyrtar i Scholz-it në Indi, edhe pse është takimi i katërt me Modin që nga ardhja në pozitën e kryeministrit më 2021, fakt që e vë në pah interesimin e Gjermanisë për t’u afruar me Indinë.
Pas një video-konference me udhëheqësit e tjerë të vendeve të Grupit G7 të fuqive industriale të premten, kancelari gjerman, para se të largohej nga Berlini, tha: “Në rrafshin ndërkombëtar, ne po mundohemi që të bëjmë të qartë se Rusia qëndron e vetme në botë me agresionin e saj kundër Ukrainës.”
Ambasadori i Gjermanisë në Indi, tha se ai kupton pse India po blen sasi të madhe të naftës nga Rusia. “Kjo është diçka për të cilën vendos qeveria indiane dhe përderisa e merr me çmim shumë, shumë të ulët, e dini, nuk mund ta fajësoj qeverinë indiane për blerjen e tij”- citohet të ketë thënë ambasadori gjerman.
Kancelari Scholz tha se Gjermania i mirëpret punëtorët e kualifikuar nga India, sidomos në fushën e teknologjisë informative dhe në industrinë softuerike.
“Ne duam të përfitojmë nga talenti indian i punësuar në Gjermani në sektorin industrial”- tha ai.

