Militantët e lidhur me ISIS-in vrasin të paktën 25 persona në një shkollë në Ugandë
Të paktën 25 persona janë vrarë në një shkollë në pjesën perëndimore të Ugandës nga rebelët e lidhur me ISIS-in.
Tetë persona të tjerë janë plagosur dhe ndodhen në gjendje kritike pas sulmit në shkollën “Lhubiriha” në Mpodwe, raporton televizioni BBC.
Policia tha se sulmi të premten u krye nga Forcat Aleate Demokratike – grup ugandas me bazë në Republikën Demokratike të Kongos.
Ushtarët janë duke e ndjekur grupin që është arratisur drejt Parkut Kombëtar “Virunga” në Republikën Demokratike të Kongos, shtoi policia.
“Deri më tani, 25 trupa janë nxjerrë nga shkolla dhe janë dërguar në Spitalin Bwera”- tha zëdhënësi i policisë kombëtare, Fred Enaga, në një deklaratë të publikuar të shtunën.
Ai shtoi se një konvikt në shkollë u dogj dhe një depo ushqimi u plaçkit gjatë sulmit që u krye të premten në mbrëmje.
Ky sulm, që ndodhi në një shkollë që ndodhet më pak se dy kilometra larg kufirit të Ugandës me Republikën Demokratike të Kongos, është i pari i këtij lloji në një shkollë të vendit për shumë vjet.
Rebelët e Forcave Aleate Demokratike kanë operuar nga territori i Republikës Demokratike të Kongos gjatë dy dekadave të fundit.