Miliarda dollarë: India nënshkruan pakt me Francën për blerjen e 26 aeroplanëve “Rafale” - NACIONALE

Miliarda dollarë: India nënshkruan pakt me Francën për blerjen e 26 aeroplanëve “Rafale”

1 vit më parë

nga NACIONALE

India të hënën nënshkroi një marrëveshje me Francën për blerjen e 26 aeroplanëve luftarakë të tipit “Rafale” me vlerë të 630 miliardë rupive (7,41 miliardë dollarë) për forcat e veta detare, i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes të Indisë.

Blerja e këtyre aeroplanëve ishte miratuar më herët këtë muaj nga kabineti indian i sigurisë, i drejtuar nga kryeministri Narendra Modi, raporton agjencia “Reuters”.

Forca Ajrore e Indisë tani për tani operon 36 aeroplanë luftarakë “Rafale”, ndërsa flota ajrore e forcave detare përbëhet kryesisht nga aeroplanët rusë, “MiG-29”.

Kjo marrëveshje vjen në kohën kur India po synon që ta modernizojë ushtrinë e vet, ta zvogëlojë varësinë nga pajisjet me prejardhje ruse dhe ta shtojë prodhimin vendës të armëve për t’i furnizuar forcat e dislokuara në dy kufijtë e tensionuar me Pakistanin dhe Kinën.

Forca detare indiane e ka tërhequr vërejtjen për praninë në rritje të Kinës në Oqeanin Indian gjatë dekadës së fundit. Pekini operon anije me qëllime të dyfishta në rajon dhe mban në funksion një bazë ushtarake në Xhibuti që nga viti 2017.

Marrëveshja për blerjen e aeroplanëve të rinj gjithashtu shënon një hap tjetër të mbështetjes së gjatë të Indisë në pajisje ushtarake franceze, përfshirë aeroplanët “Mirage 2000” të blerë në vitet e tetëdhjeta dhe nëndetëset “Scorpene” të porositura në vitin 2005.

Lajme të ngjashme