Mikrofoni ndezur, rrjedh kërkesa e presidentit të Indonezisë ndaj Trumpit - NACIONALE

Mikrofoni ndezur, rrjedh kërkesa e presidentit të Indonezisë ndaj Trumpit

1 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Presidenti i Indonezisë, Prabowo Subianto, e pyeti të hënën në Egjipt homologun e tij amerikan, Donald Trump, nëse do të mund të takohej me të birin e tij, Erikun, nënpresident ekzekutiv i Organizatës Trump, sipas komenteve të shkëmbyera mes dy presidentëve që u kapën nga një mikrofon, pasi kreu i Shtëpisë së Bardhë e përfundoi fjalimin në samitin e përqendruar rreth Gazës në Egjipt.

Trumpi dhe Subianto, të cilët gjithashtu shihen në video, dukej se nuk ishin të vetëdijshëm se një mikrofon aktiv po e incizonte bisedën mes tyre, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Dy presidentët folën në qytetin Sharm el-Sheikh të Egjiptit, pasi Trumpi foli para një grupi të udhëheqësve botërorë të mbledhur për samitin që e pasoi njoftimin e një marrëveshjeje të armëpushimit në Gaza.

Shtëpia e Bardhë dhe Ambasada e Indonezisë në Uashington nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment rreth bisedës mes dy presidentëve.

Nuk ishte e qartë në incizim nëse ata po i referoheshin Organizatës Trump apo ndonjë marrëveshjeje biznesi ku do të ishin të përfshirë presidenti apo familja e tij.

Duke iu drejtuar Trumpit përderisa dy udhëheqësit po qëndronin prapa një foltoreje me mikrofon, presidenti indonezian përmend një rajon që “nuk është i sigurt” dhe pastaj e pyet homologun amerikan: “A mund ta takoj Erikun?”

Trumpi ia kthen: “Do t’i them Erikut të t’telefonojë. A duhet ta bëj këtë? Ai është një djalë aq i mirë. Do t’i them të t’telefonojë.”

Homologu indonezian më pas i thotë: “Do të kërkojmë një vend më të mirë”. Presidenti amerikan i thotë prapë: “Do t’i them Erikut që të t’telefonojë.”

Presidenti indonezian ofron dy opsione “Eriku ose Don Jr. [Donald Trump Jr]. Eriku dhe vëllai i tij, Donald Trump Jr shërbejnë si nënpresidentë ekzekutivë të Organizatës Trump, e cila ka operacione biznesi që përfshijë patundshmëri, gastronomi dhe biznese të tjera.

Kompania operon një klub golfi afër kryeqytetit indonezian Xhakarta, sipas uebfaqes së saj. Një pronë tjetër në Indonezi, klub golfi dhe resort në Bali, figuron në uebfaqe si projekt që do të vijë “së shpejti”./Nacionale

Lajme të ngjashme