“Mendim i vlefshëm”: A po e paralajmëron Bideni kushtëzimin e ndihmave ushtarake për Izraelin?
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të premten se vendosja e kushteve për ndihmat ushtarake amerikane për Izraelin është “mendim i vlefshëm” dhe se shpreson që armëpushimi në Gaza të zgjasë për më shumë se katër ditë.
Duke folur para gazetarëve në Massachusetts, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se është i inkurajuar nga lirimi i disa pengjeve dhe shpreson që numri i të liruarve të rritet, raporton agjencia “Associated Press”.
“Ne presim që më shumë pengje të lirohen nesër [të shtunën] dhe më shumë një ditë më pas [ të dielën] dhe më shumë një ditë pas saj [të hënën]”- tha ai.
Në mesin e pengjeve të liruara ishin 13 izraelitë, dhjetë tajlandezë dhe një filipinas, sipas Katarit, shtet që ndërmjetësoi për arritjen e marrëveshjes për pauzimin e luftimeve.
Si këmbim, Izraeli liroi 39 palestinezë nga burgjet e tij si dhe e lejoi hyrjen e disa kamionëve me ndihma e karburant në enklavën e izoluar.
Bideni tha se kushtëzimi i ndihmave ushtarake për Izraelin është “mendim i vlefshëm”. “... Por nuk mendoj se nëse do të kisha filluar me këtë, do të arrinim ndonjëherë këtu ku jemi sot”- shtoi ai.
Presidenti i shtetit që njihet për përkrahjen e fuqishme për Izraelin nuk përmendi ndonjë shembull të kushteve që do të mund t’i vendoseshin shtetit të Lindjes së Mesme për ndihmat ushtarake.
Ditë më parë është raportuar për mospajtime brenda Departamentit të Shtetit rreth qasjes së ShBA-së ndaj luftës Izrael - Hamas. Një drejtor brenda këtij departamenti madje ka dhënë dorëheqje shkaku i ndihmave ushtarake amerikane për Izraelin.
Më shumë:
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli


