Përplasje brenda Departamentit të Shtetit për Gazën, del e-maili i Blinkenit për stafin - NACIONALE

Përplasje brenda Departamentit të Shtetit për Gazën, del e-maili i Blinkenit për stafin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, e ka pranuar praninë e mosmarrëveshjeve brenda Departamentit të Shtetit rreth qasjes së administratës së presidentit Biden për luftën Izrael – Hamas. Kjo u bë e ditur përmes një shkrese elektronike që ai ia dërgoi stafit të hënën.

Porosia e tij për personelin, që u dërgua pas vizitave të tij rishtazi në vende të ndryshme të botës, vjen në kohën e shtimit të zemërimit dhe mospajtimit jo vetëm nga stafi i Departamentit të Shtetit, por edhe brenda administratës më të gjerë të Bidenit, raporton televizioni CNN.

Ky televizioni raportoi javën e kaluar se qindra anëtarë të personelit në Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID – kishin nënshkruar një letër me të cilën bëhej thirrje për armëpushim dhe ka raportime për një “memorandum mospajtimi” brenda Departamentit të Shtetit.

Muajin e kaluar, një zyrtar i Departamentit të Shtetit dha dorëheqje publikisht në shenjë proteste ndaj politikës së Shteteve të Bashkuara për luftën Izrael – Hamas.

Çfarë i shkroi Blinkeni stafit?

“E di se për shumë nga ju, vuajtja e shkaktuar nga kjo krizë është duke lënë pasojë të thellë personale. Ankthi që vjen me shikimin e pamjeve të përditshme të foshnjave, fëmijëve, të moshuarve, grave e e civilëve të tjerë duke vuajtur në këtë krizë është shumë stresues. E ndiej këtë vetë”- shkroi kryediplomati amerikan në shkresën elektronike drejtuar stafit.

Ai theksoi më tej se “disa persona në Departament [të Shtetit] mund të mos pajtohen me qasjet që po i marrim ose kanë pikëpamje për atë që ne mund ta bëjmë më mirë”.

Blinkeni vuri në pah se janë organizuar forume në Uashington në mënyrë që punëtorët të ofrojnë vlerësime.

“Ne jemi duke dëgjuar: ajo që e ndani ju është duke i njoftuar politikën tonë dhe porositë tona”- shtoi diplomati i lartë.

Në shkresë, Blinkeni përsëriti se “tepër shumë civilë palestinezë kanë vdekur” dhe se “shumë më shumë mundet dhe duhet të bëhet për ta pakësuar vuajtjen e tyre”.

“Siç kam thënë privatisht e publikisht, ne besojmë se zërat e popullit palestinez duhet të jenë në qendër të qeverisjes në Gaza pas krizës. Ne besojmë në qeverisjen e udhëhequr nga palestinezët në Gaza, me Gazën e bashkuar me Bregun Perëndimor. Rindërtimi i Gazës duhet të mbështetet me një mekanizëm të pandërprerë”- shkroi më tej Blinkeni, në përpjekje të qartë për ta zbutur pakënaqësinë e stafit rreth qasjes së ShBA-së.

Lajme të ngjashme