Medvedevi thotë se Evropa po mundohet ta përshkallëzojë luftën në Ukrainë pas fitores së Trumpit - NACIONALE

Medvedevi thotë se Evropa po mundohet ta përshkallëzojë luftën në Ukrainë pas fitores së Trumpit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ish-presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, të martën i akuzoi udhëheqësit evropianë se po mundohen që ta përshkallëzojnë në mënyrë të rrezikshme konfliktin e Ukrainës pas rizgjedhjes së republikanit Donald Trump president i Shteteve të Bashkuara.

Tani zyrtar i lartë i sigurisë, Medvedevi shkroi në rrjetin “Telegram”, duke thënë se politikanët evropianë po synojnë që “ta shtyjnë konfliktin me Rusinë në një fazë të pakthyeshme”, përderisa munden dhe paralajmëroi kundër lejimit të Kievit për të përdorur raketa perëndimore me rreze të gjatë për të vënë në shënjestër caqe brenda Rusisë, raporton agjencia “Reuters”.

Medvedevi i hodhi poshtë ato që i quajti “ultimatume” të lëshuara nga kreu i opozitës gjermane dhe kancelari i ardhshëm i mundshëm, Friedrich Merz, rreth përdorimit të armëve të tilla nga Ukraina, duke i cilësuar si “elektorale për nga natyra”.

“Është e qartë se këto raketa nuk janë në gjendje që të ndryshojnë asgjë në masë domethënëse në rrjedhën e operacioneve ushtarake” – tha ai.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministri britanika, Keir Starmer, e ripohuan përkrahjen e tyre për Kievin gjatë takimit në Paris të hënën, ndërsa kryediplomati francez u bëri thirrje aleatëve të Ukrainës që të mos paragjykojnë në lidhje me trajtimin që do t’ia bëjë Trumpi konfliktit në Ukrainë.

“Thënë përgjithësisht, është e befasishme se në çfarë shkalle gjenerata e tanishme e politikanëve evropianë dëshirojnë që ta tërheqin luftën në territorin e tyre” – shtoi ish-presidenti rus.

Medvedevi më parë kishte thënë se fitorja e Trumpit me gjasë do të ishte lajm i keq për Ukrainën.

Trumpi vazhdimisht e ka kritikuar nivelin e ndihmave perëndimore për Kievin dhe ka premtuar se do t’i japë fund shpejt luftës, pa shpjeguar se si do ta arrijë këtë.

Të hënën, Kremlini i mohoi raportimet e mediave se Trumpi kishte biseduar ditëve të fundit me presidentin rus, Vladimir Putin, duke i quajtur “trillim i pastër”./Nacionale

Lajme të ngjashme