Me tren sekret e aeroplan amerikan: si arriti Zelensky fshehurazi në ShBA?
Udhëtimi i befasishëm i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, drejt Shteteve të Bashkuara – hera e parë që ai udhëtoi jashtë vendit që nga fillimi i pushtimit rus – nisi me një udhëtim sekret me tren nga Ukrainë në Poloni të martën vonë.
Të mërkurën në mëngjes, ai arriti në qytetin jugor polak, Przemysl, ku u pa në stacionin e trenit, sipas pamjeve të transmetuesit privat, TVN, bashkë me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë, Bridget Brink, e cila e shoqëronte atë.
Vizita e Zelenskyt ishte planifikuar disa ditë dhe ishte organizuar fshehurazi për shkak të shqetësimeve për sigurinë e tij, por disa hollësi u publikuan në rrjete sociale nga një reporter i “Punchbowl News”-it.
Në Poloni, Zelensky hipi në një aeroplan qeveritar amerikan dhe arriti në Maryland, afër Uashingtonit, rreth mesditës sipas kohës lokale, shkruan "The Guardian", përcjell "Nacionale".
Ai u dërgua me autokolonë në Shtëpinë "Blair", ku presidenti amerikan pret mysafirë, dhe, pasi u freskua nga udhëtimi i gjatë, shkoi në Shtëpinë e Bardhë, ku u prit nga presidenti amerikan, Joe Biden, dhe bashkëshortja e tij, Jill Biden.
Në vend të kravatës e kostumit, Zelensky i veshi rrobat e tij tashmë të zakonshme me ngjyrë të gjelbër ushtarake, shenjë për të na kujtuar se kishte ardhur drejtpërdrejt nga një zonë lufte.
Administrata amerikane u konsultua ngushtë me Zelenskyn për “parametrat e sigurisë” rreth mundësisë që ai të largohej nga Ukraina, ta vizitonte ShBA-në shkurtimisht e të kthehej, tha të martën një zyrtar i lartë i administratës amerikane, duke folur në kushte anonimiteti.
“Natyrisht, ishte përfundimisht vendimi i tij. Ai arriti në përfundimin se ata parametra të sigurisë janë plotësuar. Ne u pajtuam me atë që i nevojitej atij dhe, kështu, po zbatojmë ashtu si duhet”- shtoi zyrtari amerikan.
Në Shtëpinë e Bardhë, Zelensky zhvilloi bisedime me Bidenin dhe ndihmësit e tij të lartë për siguri kombëtare, para se të merrte pjesë në një konferencë të përbashkët për gazetarë me homologun amerikan në Dhomën Lindore, e cila ishte zbukuruar me dekorime të festave.
Vizita e Zelenskyt, e cila zgjati më pak se 12 orë, rreth dy javë pas bisedës telefonike mes dy presidentëve më 11 dhjetor. Tri ditë më vonë, Shtëpia e Bardhë dërgoi një ftesë zyrtare për vizitë, tha zyrtari amerikan. Zelensky e pranoi ftesën të premten e kaluar dhe vizita u konfirmua të dielën.
Gjatë konferencës për gazetarë, Bideni tha se ishte e rëndësishme që ta kishte vizitën e Zelenskyt “për ta shikuar në sy”.
“President Zelensky, jam i nderuar t’ju mirëpres përsëri në Shtëpinë e Bardhë”- tha shefi i Shtëpisë së Bardhë.

