Zelensky në Kongresin e ShBA-së: Ukraina s’ka rënë, është gjallë e po shkelmon - NACIONALE

Zelensky në Kongresin e ShBA-së: Ukraina s’ka rënë, është gjallë e po shkelmon

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u është drejtuar anëtarëve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara. Ai tha para tyre se vendi i tij është “i gjallë dhe duke shkelmuar” pavarësisht nga “tirania” ruse.

“Është nder i madh për mua që të jem në Kongresin e ShBA-së dhe t’ju flas juve e të gjithë amerikanëve. Pavarësisht nga të gjithë skenarët për shkatërrim e humbje të shpresës, Ukraina nuk ra. Ukraina është gjallë e duke shkelmuar. Ne e mposhtëm Rusinë në betejën për mendjet e botës”- deklaroi ai.

Zelensky theksoi se Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë Ukrainën që të sigurojë një fitore që do ta bëjë botën më të sigurt, shkruan “The Guardian”, përcjell “Nacionale”.

Ai gjithashtu kërkoi haptazi më shumë ndihma, duke thënë se përderisa është mirënjohës për zotimet deri më tani, ato nuk janë të mjaftueshme.

Presidenti ukrainas u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara që, gjithashtu, t’i vendosin sanksione të mëtejme Rusisë dhe t’i sjellin para drejtësisë personat që qëndrojnë prapa luftës.

Zelensky u përpoq që t’i siguronte ligjvënësit republikanë e demokratë se ndihma për Ukrainën ia vlen dhe se vendi i tij është kujdestar i mirë i asistencës që i është dhënë.

“Të hollat tuaja nuk janë bamirësi. Janë një investim në sigurinë dhe demokracinë globale që ne e trajtojmë në mënyrën më të përgjegjshme”- tha presidenti ukrainas.

Ai vazhdimisht iu referua betejave të Luftës së Dytë Botërore – me gjasë strategji e tij – shenjë për të sjellë ndër mend se ajo që është në pyetje është politika globale, jo vetëm liria e Ukrainës.

Në përfundimin e fjalimit të tij, Zelensky i falënderoi familjet amerikane – taksapaguesit që po i financojnë ndihmat e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën – duke thënë: “Tani, në këtë kohë të veçantë Kërshëndellash, dua t’ju falënderoj të gjithëve. Falënderoj secilën familje amerikane që e çmon ngrohtësinë e shtëpisë së vet dhe e dëshiron të njëjtën gjë për njerëzit tanë.”

Gjatë konferencës për gazetarë me homologun amerikan, Joe Biden, Zelensky bëri pak shaka, duke thënë: “Pas ta marrim sistemin Patriot, do të sinjalizojmë se duam një tjetër Patriot.”

Shtetet e Bashkuara i kanë premtuar Ukrainës se do ta furnizojnë me sistemin e mbrojtjes ajrore, Patriot. Zelensky tha se ky premtim është hap i rëndësishëm për krijimin e një mburoje efektive në ajër.

“Kjo është mënyra e vetme me të cilën mund ta lëmë shtetin terrorist pa instrumentin e tij kryesor të terrorit – mundësinë për t’i goditur qytetet tona, energjinë tonë”- tha presidenti ukrainas.

Sistemi “Patriot” konsiderohet si njëri nga sistemet më të avancuara të Shteteve të Bashkuara për mbrojtje ajrore dhe ofron mbrojtje kundër aeroplanëve, raketave me vetëdrejtim e raketave balistike. Ai përfshin raketahedhës me radarë dhe mjete të tjera mbështetëse.

Lajme të ngjashme