Zelensky i dhuron Bidenit kryq ukrainas për merita ushtarake - njoftohet dërgimi i sistemit Patriot në Ukrainë
Presidenti i ShBA-së Joe Biden ka mirëpritur presidentin ukrainas Volodymr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë për një takim dypalësh, duke u zotuar se Shtetet e Bashkuara do të "vazhdojnë të forcojnë aftësinë e Ukrainës për t'u mbrojtur - veçanërisht mbrojtjen ajrore".
Ai ka përsëritur se amerikanët e të dy partive politike qëndrojnë me ukrainasit, së bashku me aleatët në Evropë, Japoni dhe vende të tjera për t'u siguruar që të kenë ndihmën financiare humanitare dhe të sigurisë që vendit i nevojitet, duke përfshirë një dërgesë të sapo shpallur të sistemit të raketave të mbrojtjes ajrore Patriot.
E më pas, duke falënderuar Bidenin, Kongresin dhe popullin amerikan për mbështetjen e tyre, Zelensky, i ka dhuruar Bidenit një kryq ukrainas për merita ushtarake.
"Faleminderit shumë, zoti President. Natyrisht faleminderit për mbështetjen dypartiake, faleminderit Kongresit dhe faleminderit nga njerëzit tanë të thjeshtë për njerëzit tuaj të zakonshëm, amerikanët. Unë e vlerësoj shumë," është shprehur Zelensky, ndërsa i ka dhënë Bidenit një çmim hero, për të cilin tha se i ishte dhënë nga një kapiten në ushtrinë ukrainase që luftonte në rajonin e Donbasit.
"Një djalë që është me të vërtetë, me të vërtetë një hero, kapiten i vërtetë dhe ai më kërkoi t'ia kaloja çmimin Presidentit Biden," ka thënë Zelensky, duke shtuar se, “ai është shumë trim dhe tha ia jep Presidentit shumë të guximshëm, dhe unë dua t'jua jap, ky është një kryq për meritë ushtarake”.
Biden falënderoi Zelenskyn dhe tha se në këmbim, ai do t'i dërgonte kapitenit ukrainas një monedhë të komandës amerikane në këmbim.
Kujtojmë se pak para mbërritjes së Zelenskyt në Uashington, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka konfirmuar se ShBA-ja do t'i sigurojë Ukrainës sistemin e avancuar të mbrojtjes ajrore Patriot për ta ndihmuar kundër sulmeve raketore të Moskës, duke bërë e ditur se paketa e fundit arrin në një total vlere prej 1.85 miliardë dollarësh.
“Asistenca e sotme përfshin për herë të parë Sistemin e Mbrojtjes Ajrore Patriot, i aftë për të rrëzuar raketat e lundrimit, raketat balistike me rreze të shkurtër dhe avionët në një tavan dukshëm më të lartë se sistemet e mbrojtjes ajrore të ofruara më parë”, ka thënë ai.

