Mbi 900 raste të dyshuara të kolerës në Siri, OKB: Kërcënim serioz për rajonin - NACIONALE

Mbi 900 raste të dyshuara të kolerës në Siri, OKB: Kërcënim serioz për rajonin

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Në vendin e shkatërruar nga lufta, Siri, në tre javët e fundit janë raportuar më shumë se 900 raste të dyshuara të lidhura me kolerën dhe tetë vdekje.

Ndërsa të hënën, ministria siriane e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në provincën Aleppo, janë konfirmuar 20 raste të kolerës.

Lidhur me këtë shpërthim - i pari në shumë vite në Siri, OKB-ja ka shprehur shqetësim duke thënë se përbën një “kërcënim serioz” për të gjithë rajonin.

Besohet se shpërthimi është i lidhur me njerëzit që pinë ujë të kontaminuar nga lumi Eufrat, i cili rrjedh nëpër provinca, si dhe nga përdorja e këtij uji për ujitjen e të mbjellave.

Përhapja e kolerës në vend, gjithashtu shihet si një tregues i mungesës së madhe të ujit, shkak i ndryshimeve klimatike, ku kombinuar me dëmtimin e gjerë në infrastrukturën e furnizimit dhe kanalizimeve, ka bërë që shumë nga 5 milionë sirianë që varen nga lumi për ujin e pijshëm dhe ujitjen e të korrave të varen nga burime të pasigurta. Situata, gjithashtu ka shkaktuar një rritje të sëmundjeve të rrezikshme të shkaktuara nga uji, siç është kolera.

Agjencia shtetërore e lajmeve Sana, ka njoftuar se ministria siriane e Shëndetësisë të hënën ka konfirmuar edhe 20 raste të reja të kolerës, përfshirë dy vdekje në Aleppo.

Megjithatë, OKB-ja paralajmëroi se që nga 25 gushti, në gjithë Sirinë janë regjistruar gjithsej 936 raste të rënda akute të diarresë, duke përfshirë të paktën tetë vdekje të lidhura.

Sipas OKB-së, më shumë se 670 nga ato raste të dyshuara dhe gjashtë nga vdekjet ishin në Aleppo, ndërsa 201 raste dhe dy vdekje ishin në provincën lindore të Deir al-Zour.

"Nevojitet veprim i shpejtë dhe urgjent për të parandaluar sëmundje dhe vdekje të mëtejshme," ka paralajmëruar OKB, duke u bërë thirrje vendeve donatore për fonde urgjente shtesë.

OKB-ja poashtu ka bërë të ditur se në zonë janë dhënë teste të shpejta diagnostikuese, lëngjet intravenoze dhe kripërat e rihidratimit, duke shtuar se në vend është duke u shpërndarë ujë me kamionë.

Kolera është një infeksion akut diarreal i shkaktuar nga gëlltitja e ushqimit ose ujit të kontaminuar me bakterin Vibrio cholera. Në raste të rënda, nëse nuk trajohet, sëmundja mund të vrasë brenda disa orësh.

Lajme të ngjashme