Mbi 30 trupa, shumica të fëmijëve, zbulohen në një varr masiv në Kenia
Rreth 32 trupa, shumica të fëmijëve, janë nxjerrë nga një varr masiv në qytezën perëndimore Kericho të Kenias, përderisa hetimi për rastin shokues po vazhdon.
Zhvarrosja e trupave u bë pasi policia siguroi një urdhër gjykate për të larguar 14 trupa që fillimisht besohej se ishin varrosur aty, raporton televizioni BBC.
Patologu qeveritar, Richard Njoroge, tha para gazetarëve të martën në mbrëmje se ky zbulim ishte “goxha i pazakontë”, pasi trupat ishin vendosur në qese. Zhvarrimi mori një ditë, pasi u pengua nga shiu i dendur.
Ekzaminimi i trupave pritej të fillonte të mërkurën dhe pati thirrje për identifikim të shpejtë dhe hulumtim të rrethanave të vdekjes së këtyre njerëzve.
Njoroge tha se në varrin masivi ndodheshin trupat e shtatë të rriturve dhe 25 fëmijëve. Në mesin e fëmijëve kishte edhe fetuse. Nga varri u nxorën edhe disa pjesë trupash.
Patologu tha më tej se disa trupa dukej se e kishin prejardhjen nga spitale dhe morgë, por një gjë e tillë do të përcaktohet më qartë pas autopsisë.
Ai theksoi se mbetjet e të rriturve ishin shumë të dekompozuara, ndërsa ato të fëmijëve më pak, gjë që, sipas tij, tregon se këta njerëz kishin vdekur në kohë të ndryshme.
Policia e rrethoi vendin ku u zbulua varri masiv, ndërsa një turmë banorësh u mblodhën për ta përcjellë procesin./Nacionale