Maldivet ua ndalojnë hyrjen personave me pasaporta izraelite, protestë kundër luftës në Gaza - NACIONALE

Maldivet ua ndalojnë hyrjen personave me pasaporta izraelite, protestë kundër luftës në Gaza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Maldivet ua kanë ndaluar hyrjen në territorin e këtij shteti personave që kanë pasaporta izraelite, tha të mërkurën zyra e presidentit, duke e akuzuar Izraelin për gjenocid kundër palestinezëve në luftën e Gazës, akuzë që Izraeli vazhdimisht e ka mohuar.

Presidenti i Maldiveve, Mohamed Muizzu, ratifikoi një amendament të ligjit për migrim, pasi ai ishte miratuar nga deputetët paraprakisht të martën, thuhet në një deklaratë të zyrës së tij, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Amendamenti përfshin një dispozitë të re në Aktin e Migrimit, duke e ndaluar shprehimisht hyrjen e vizitorëve me pasaporta izraelite në territorin e Maldiveve, thuhet më tej në deklaratën e zyrës presidenciale, transmeton gazeta "Nacionale".

“Ratifikimi e pasqyron qëndrimin e vendosur të Qeverisë në kundërpërgjigje të mizorive të vazhdueshme dhe akteve të vazhdueshme të gjenocidit të kryera nga Izraeli kundër popullit palestinez” – thuhet në deklaratë.

Ministria e Jashtme e Izraelit dhe zyra konsullore e këtij shteti në Kolombo nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Presidenti i Maldiveve fillimisht kishte bërë në qershorin e vitit të kaluar që t’u ndalohej hyrja në vend personave me pasaporta izraelite pas një rekomandimi të kabinetit, gjë që e kishte nxitur Ministrinë e Jashtme të Izraelit që t’u rekomandonte izraelitëve që ta shmangin arkipelagun që njihet për plazhet e bukura dhe resortet luksoze.

Turizmi është pjesë e rëndësishme e ekonomisë së Maldiveve, duke përbërë rreth 21 për qind të prodhimit vendës bruto dhe duke siguruar të hyra prej 5,6 miliardë dollarësh më 2024, sipas të dhënave qeveritare.

Izraeli në mënyrë të vazhdueshme i ka mohuar akuzat për gjenocid, duke thënë se e ka respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe ka të drejtë për ta mbrojtur veten pas sulmit të Hamasit më 2023, i cili e nxiti më pas luftën në Gaza.

Afrika e Jugut ka dërguar rast kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ndërsa organizata e njohur për të drejtat e njeriut, “Amnesty International”, e ka akuzuar Izraelin për gjenocid kundër palestinezëve në Gaza në një raport të saj në dhjetor. Izraeli i ka mohuar akuzat./Nacionale

Lajme të ngjashme