Malajzia ua ndalon hyrjen të gjitha anijeve të lidhura me Izraelin shkaku i Gazës - NACIONALE

Malajzia ua ndalon hyrjen të gjitha anijeve të lidhura me Izraelin shkaku i Gazës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Malajzisë njoftoi të mërkurën se do t’ua ndalojë ankorimin në portet e saj të gjitha anijeve në pronësi të izraelitëve ose me flamuj izraelitë si dhe të gjitha anijeve që janë nisur drejt Izraelit.

Në njoftimin e publikuar nga zyra e kryeministrit Anwar Ibrahim thuhet se ky vendim do të hyjë në fuqi menjëherë dhe është marrë si kundërpërgjigje ndaj sjelljes së Izraelit në konfliktin e tij me Hamasin, raporton televizioni CNN.

“Ky sanksion është kundërpërgjigje ndaj veprimeve të Izraelit që i shpërfillin parimet themelore humanitare dhe e shkelin të drejtën ndërkombëtare përmes masakrimit dhe mizorisë së vazhdueshme kundër popullit palestinez”- thuhet në deklaratë.

Malajzia, shtet me shumicë myslimane, për një kohë të gjatë është vënë në mbrojtje të të drejtave dhe kauzave të palestinezëve. Njësoj si Indonezia, Brunei, Bangladeshi, Maldivet e Pakistani, as Malajzia nuk e njeh Izraelin.

Bombardimi i vazhdueshëm i Gazës nga ushtria izraelite pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit më 7 tetor ka nxitur protesta masive në Malajzi dhe i ka bërë trysni politike kryeministrit Anwar.

Ai mbetet njëri nga udhëheqësit politikë më të dalluar në botë kundër Izraelit dhe përkrahësve të këtij shteti në ShBA, edhe pse fuqia botërore mbetet partnere e rëndësishme tregtare e Malajzisë.

Në një fjalim para deputetëve në nëntor, kryeministri tha se qeveria e tij do të mbajë lidhje me Hamasin dhe se nuk do ta ndëshkojë këtë grup pas sulmit në Izrael, ku raportohet se janë vrarë 1.200 njerëz.

Në pasaportat e Malajzisë shkruhet: “E vlefshme për të gjitha shtetet përpos Izraelit.” Personave që kanë pasaporta izraelite u ndalohet hyrja në Malajzi pa leje paraprake.

Lajme të ngjashme