Majmunët sulmojnë 42 persona në Japoni, vendi vendos të përdorë armë qetësuese - NACIONALE

Majmunët sulmojnë 42 persona në Japoni, vendi vendos të përdorë armë qetësuese

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Autoritetet lokale në një qytet japonez do të përdorin armë qetësuese për t'u përballur me majmunët plaçkitës që javët e fundit kanë lënduar 42 persona.

The Gurdian shkruan se, makakët japonezë janë të zakonshëm në pjesë të mëdha të vendit dhe janë dëmtues në disa zona, duke ngrënë të mbjella dhe ndonjëherë edhe duke hyrë nëpër shtëpi. Por, së fundmi një seri sulmesh nga majmunët në qytetin Yamaguchi ka qenë e pazakontë, me të rritur dhe fëmijë që kanë pësuar plagë, duke përfshirë gërvishtje dhe pickime.

"I gjithë qyteti Yamaguchi është i rrethuar nga male dhe nuk është e rrallë të shohësh majmunë," tha një zyrtar i qytetit nga departamenti i bujqësisë, duke shtuar se është e rrallë të ndodhin kaq shumë sulme në një periudhë të shkurtër kohore.

Edhe pse lëndimet në njerëz kanë qenë kryesisht të lehta, autoritetet në vend kanë vendosur të përdorim armë qetësuese, pasi kurthet e ngritura për kapjen e majmunëve nuk kanë funksionuar.

“Fillimisht u sulmuan vetëm fëmijët dhe gratë. Ndërsa, kohët e fundit në shënjestër të tyre janë edhe të moshuarit dhe burrat e rritur”, tha zyrtari.

Historia e sulmeve nga majmunët, ka bërë bujë në Japoni gjatë javëve të fundit, me njerëz të shumtë që janë duke raportuar vazhdimisht për raste.

Sulmi i parë i raportuar i makakut japonez erdhi më 8 korrik kur primati ishte ngjitur në një banesë në lagjen Ogori të qytetit Yamaguchi, duke u përpjekur të tërhiqte një foshnjë nga dritarja.

Nëna e foshnjës tha se ajo u alarmua nga britmat e fëmijës së saj dhe e largoi majmunin, përpara se t'u bënte thirrje autoriteteve që ta kapnin kafshën 'sa më shpejt të jetë e mundur'.

“E kishte kapur nga këmbët ndërsa po luante në dysheme. Dukej sikur po përpiqej ta tërhiqte jashtë”, tha ajo për mediat lokale.

Raportet sugjerojnë se në të njëjten zonë, majmuni kishte sulmuar edhe pesë persona të tjerë, përpara se të hynte në një shkollë fillore më 11 korrik, ku kishte gërvishtur një nxënës dhe pas tre ditësh kishte sulmuar një vajzë katërvjeçare në një çerdhe.

Lajme të ngjashme