Macroni refuzon që ta bëjë kryeministre kandidaten e bllokut të përkrahur nga VV-ja
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se ai nuk do të pajtohet për një qeveri të udhëhequr nga aleanca Fronti i Ri Popullor, që e fitoi shumicën e ulëseve në zgjedhjet e muajit të kaluar dhe që para garës ishte mbështetur publikisht nga Lëvizja Vetëvendosje.
Macroni tha se Franca ka nevojë për stabilitet institucional dhe se e majta nuk do të mund të fitonte një mocion besimi në Kuvend, raporton televizioni BBC.
Fronti i Ri Popullor, i cili e kishte paraqitur si kandidate për kryeministre zonjën Lucie Castets, shërbyese civile relativisht e panjohur, si kundërpërgjigje bëri thirrje për protesta në rrugë dhe për shkarkimin e presidentit.
Macroni, partia e të cilit doli e dyta në zgjedhjet e korrikut, tha se do të niste konsultime të reja me udhëheqësit e partive të martën dhe i bëri thirrje majtistëve që të bashkëpunonin me forca të tjera politike.
Asnjë grup politik nuk arriti që ta fitonte shumicën në zgjedhje, edhe pse Fronti i Ri Popullor siguroi mbi 190 deputetë, ndërsa aleanca e Macronit 160. Partia e së djathtës ekstreme, Tubimi Kombëtar, mori 140 ulëse.
Prej asaj kohe, Franca është duke u udhëhequr nga një qeveri në detyrë. Kjo gjendje vazhdoi edhe gjatë Lojërave Olimpike Parisi 2024, duke e nxitur zemërimin e bllokut që doli fitues në zgjedhje.
Macroni ka qenë duke zhvilluar bisedime për formimin e një qeverie të re që nga përfundimi i zgjedhjeve dhe tha se do të vazhdojë që ta bëjë këtë.
“Përgjegjësia ime është që vendi të mos bllokohet, as të mos dobësohet. Partia Socialiste, të Gjelbrit dhe komunistët ende nuk kanë propozuar mënyra për të bashkëpunuar me forca të tjera politike. Tani u përket atyre që ta bëjnë këtë” – tha presidenti francez të hënën në një deklaratë.
Disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve në Francë, Lëvizja Vetëvendosje kishte dalë me një deklaratë për ta mbështetur publikisht Frontin e Ri Popullor.
“Në këto rrethana mbesim me shpresë që bashkimi i subjekteve të majta nën emrin ‘’Nouveau Front Populaire’’ do të triumfojë dhe do ta parandalojë fitoren dhe ardhjen në pushtet të së djathtës ekstreme, gjë që do të ishte fatale për shoqërinë dhe vlerat e solidaritetit dhe bashkëjetesës jo vetëm në Francë, por kudo nëpër kontinentin e Evropës” – thuhet në deklaratën e Lëvizjes Vetëvendosje, publikuar më 28 qershor.
Gazeta Nacionale kishte publikuar dy artikuj për partitë që ndodhen brenda këtij blloku dhe për qëndrimet skandaloze të udhëheqësit të njërit prej tyre, Jean-Luc Melenchon, dhe të Partisë Komuniste të Francës kundër Kosovës./Nacionale
Për ta lexuar artikullin për Jean-Luc Melenchon, klikoni KËTU.
Për ta lexuar artikullin për qëndrimet e Partisë Komuniste të Francës për Kosovën, klikoni KËTU.