SKANDALI 2: VV-ja e përkrahu Partinë Komuniste të Francës, që ishte kundër bombardimeve më 1999 e Pavarësisë më 2008
Disa ditë para rundit të dytë të zgjedhjeve parlamentare në Francë, Lëvizja Vetëvendosje doli publikisht me mbështetje për bllokun majtist atje, Fronti i Ri Popullor, pjesë e të cilit është edhe Partia Komuniste e Francës – PCF. Kjo parti më 1999 kishte qëndrim kundër bombardimit të Jugosllavisë nga forcat e NATO-s dhe më 2008 ishte kundër Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Më 28 qershor, përmes një postimi në rrjetin “Facebook”, Lëvizja Vetëvendosje doli “në mbështetje të Frontit [të Ri Popullor] kundër të djathtës ekstreme në Francë”.
“Jemi të bindur që, megjithatë, populli francez përmes zgjedhjeve dhe rrugëve demokratike do të reduktojë mbështetjen e këtij kërcënimi të ekstremit të djathtë. Për këtë gjë, si asnjëherë më parë, është e nevojshme dhe e domosdoshme bashkimi i të majtës socialdemokrate si e vetmja mundësi për të ruajtur vlerat që janë ndërtuar me mund dhe sakrificë, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore” – thuhet mes tjerash në qëndrimin e partisë në pushtet për zgjedhjet në Francë.
Gazeta “Nacionale” të hënën publikoi një artikull për ekstremistin majtist, Jean-Luc Melenchon, partia e të cilit është gjithashtu pjesë e bllokut. Më 2018, me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ky politikan kishte thënë se “Kosova nuk ekziston” dhe se “sovraniteti i Kosovës në thelb është imagjinar”.
Skandali shkon më tej. Pjesë e bllokut majtist të përkrahur nga Lëvizja Vetëvendosje është edhe Partia Komuniste e Francës, e cila kishte qëndrime aspak miqësore ndaj vendit tonë edhe në vitin 1999, kur Kosova ishte përfshirë nga lufta e spastrimi etnik nga forcat serbe, edhe më 2008, vetëm pak ditë para Shpalljes së Pavarësisë.
Gazeta “Nacionale” i ka hulumtuar arkivat e mediave franceze rreth qëndrimeve të Partisë Komuniste të Francës për luftën në Kosovë dhe për Shpalljen e Pavarësisë. Rezultatet ishin shqetësuese.
1999
Më 2 maj 1999, disa ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve të forcave serbe në Kosovë dhe në Serbi, sekretari kombëtar i atëhershëm i Partisë Komuniste të Francës, Robert Hue, kishte dhënë një intervistë të gjatë për faqen publike të lajmeve, “Vie publique”, në të cilën e kishte shprehur qëndrimin e tij kundër bombardimeve të aleancës veri-atlantike.
Kur gazetari Olivier Mazerolle e kishte pyetur zyrtarin e lartë të Partisë Komuniste të Francës nëse lirimi i tre ushtarëve amerikanë që po mbaheshin në Beograd ishte mundësi për pezullimin e bombardimeve, Hue mes tjerash kishte thënë: “Mendoj se duhet ta shfrytëzojmë situatën në mënyrë efikase që të ketë ndërprerje të bombardimeve, në mënyrë që të mund të fillojnë një proces diskutimi, negocimi dhe përsëri them që cilado situatë, edhe nëse është tepër e kufizuar në mundësitë e saj, duhet të shfrytëzohet, kjo më duket e qartë, sepse nuk mund të imagjinojmë që... Shoh ura të shkatërruara, ky vend që është vërtet... vërtet duke e vuajtur forcën e plotë të këtyre bombardimeve, janë njerëzit që po e paguajnë çmimin, jo Millosheviqi. Pra, nga ky këndvështrim, ne vërtet duhet t’i ndalim këto bombardime.”
Hue ishte pyetur nëse NATO-ja duhej t’i ndërpriste në mënyrë të njëanshme përkohësisht bombardimet që të shqyrtoheshin propozimet e udhëheqësit famëkeq serb, Sllobodan Millosheqviq. Ai ishte përgjigjur: “Ne duhet t’i shikojmë propozimet, nëse ato përmbajnë një ndërprerje të dhunës së Millosheviqit dhe një varg të tërë të dispozitave që janë përcaktuar. Unë besoj se ne vërtet duhet t’i ndalim bombardimet, kjo është e qartë.”
2008
Partia Komuniste e Francës kishte dalë me qëndrim për Kosovën edhe në momentin tjetër kyç, më 15 shkurt 2008, vetëm dy ditë para Shpalljes së Pavarësisë. Kjo parti ishte haptazi kundër Shpalljes së Pavarësisë, duke thënë se ky veprim “bartte rreziqe serioze”.
“Ata që pretendojnë se kjo është mënyra e vetme për ta shmangur dhunën në kontekstin e tanishëm, e shmangin të thënën se situata që do të rezultojë gjithashtu do të bartë rreziqe serioze” – thuhej në deklaratën e kësaj partie dy ditë para festës sonë të madhe.
“Nxitimi i Shteteve të Bashkuara dhe disa shteteve evropiane, përfshirë Francën, për ta shtyrë Kosovën që ta shpallë pavarësinë e saj vetëm do t’i rrisë tensionet me Serbinë dhe do t’i inkurajojë të gjitha ambiciet për ndarje, shumë në Ballkan dhe në Mesdhe dhe gjithashtu brenda vetë Kosovës” – thuhej më tej në deklaratën e 15 shkurtit 2008 të PCF-së.
“Kjo nuk është si mund të promovohet një zgjidhje e qëndrueshme për të rifituar përfundimisht ca siguri në këtë rajon, siç tregojnë reagimet e Rusisë. Vetë evropianët janë të përçarë, pasi Spanja, Qiproja dhe Greqia e disa shtete të Evropës Qendrore e kontestojnë këtë proces të pavarësisë” – ankoheshin komunistët francezë./Nacionale