Macroni në Poloni për bisedime rreth Ukrainës, përfshirë dërgimin e mundshëm të trupave
Udhëheqësit e Francës dhe Polonisë do të zhvillojnë të enjten bisedime për Ukrainën, përfshirë mundësinë e dërgimit të trupave evropiane si garanci sigurie në rast të një pakti të paqes me Rusinë, përderisa Evropa po bëhet gati për mandatin e dytë të Donald Trumpit në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Trumpi ka bërë të qartë se do të kërkojë armëpushim të menjëhershëm dhe bisedime për t’i dhënë fund luftës. Ai në të kaluarën gjithashtu i ka kritikuar ashpër aleatët evropianë që kanë dështuar të shpenzojnë 2 për qind të prodhimit vendës bruto në fushën e mbrojtjes, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kryeministri polak, Donald Tusk, vendi i të cilit është përkrahës i palëkundur i Ukrainës, do ta presë të enjten në Varshavë presidentin francez, Emmanuel Macron.
“Ukraina do të jetë në krye të agjendës, kur dy udhëheqësit të takohen dhe si të sigurohet që vendi do të jetë në gjendje për të rezistuar dhe për të qenë në pozicionin më të mirë për të biseduar [me Rusinë] – tha një burim diplomatik francez.
Njëra nga çështjen në agjendë është ideja e dërgimit të trupave evropiane në Ukrainë, nëse arrihet një pakt armëpushimi e paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë, thanë dy diplomatë.
Kjo do të funksiononte si një lloj i garancisë së zgjeruar dypalëshe të sigurisë, duke e marrë parasysh faktin se ka pak gjasa që Ukraina të anëtarësohet në NATO e madje edhe për një ftesë për anëtarësim në të ardhmen e afërt, por edhe do ta shfaqte gatishmërinë e Evropës para Trumpit për t’u përfshirë drejtpërdrejt në përfundimin e konfliktit.
Franca dhe Britania muajin e kaluar e diskutuan mundësinë e dërgimit të trupave evropiane në Ukrainë, ndërsa bisedime të ngjashme janë zhvilluar edhe mes Ukrainës e shteteve baltike e skandinave, sipas pesë diplomatëve evropianë./Nacionale