Macroni, Jinpingut: E di se mund të llogaris në ty që ta kthesh Rusinë tek arsyeja
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u takua të enjten në Pekin me homologun kinez, Xi Jinping, duke i thënë: “E di se mund të llogaris në ty për ta kthyer Rusinë tek arsyeja.”
Presidenti francez, i cili arriti të mërkurën në Kinë për vizitë treditore, i shtrëngoi duart me presidentin Jinping para Sallës së Madhe të Popullit, zemra e pushtetit në kryeqytetin kinez, raporton gazeta “The Guardian”.
Jinpingu e priti mysafirin mbi një tepih të madh të kuq, anash vendosur flamujt kinezë e francezë, përderisa u intonuan himnet e dy vendeve, raporton agjencia AFP.
“Agresioni rus në Ukrainë i ka dhënë një goditje stabilitetit. Unë e di se mund të llogaris në ju që ta ktheni Rusinë tek arsyeja dhe secilin në tavolinën e bisedimeve”- citohet të ketë thënë Macroni.
Gjatë qëndrimit në Kinë, presidenti francez ka thënë se Pekini mund të luaj një rol të rëndësishëm për ta gjetur rrugën drejt paqes në Ukrainë dhe e ka mirëpritur “gatishmërinë e Kinës për t’u përkushtuar për një zgjidhje”.
Macroni po shoqërohet në këtë vizitë nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe tha se ai dëshiron që të jetë zë që e bashkon Evropën për Ukrainën dhe se vizita në Kinë me zyrtaren e lartë shërben për ta nënvizuar qëndrueshmërinë e kësaj qasjeje.
