Macron-i paralajmëron në Pekin: Kushdo që e ndihmon agresorin, do të ishte bashkëpunëtor - NACIONALE

Macron-i paralajmëron në Pekin: Kushdo që e ndihmon agresorin, do të ishte bashkëpunëtor

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se Kina mund të luajë rol të madh në luftën e Ukrainës për shkak të marrëdhënies së ngushtë të saj me Rusinë.

Ai ka paralajmëruar se kushdo që e ndihmon Rusinë “agresore” në luftën e Ukrainës, do të bëhej bashkëpunëtor.

“Ne kemi vendosur që nga fillimi i konfliktit që ta ndihmojmë viktimën dhe, gjithashtu, kemi bërë shumë të qartë se kushdo që e ndihmon agresorin, do të ishte bashkëpunëtor, duke e shkelur të drejtën ndërkombëtare”- tha Macroni.

Duke folur pas pak arritjes në Pekin për vizitë shtetërore, presidenti francez tha se mbajtja e dialogut me Kinën është thelbësore dhe se Moska nuk mund të lejohet që të ketë dialog ekskluziv me Pekinin, raporton gazeta “The Guardian”.

“Dëgjojmë gjithnjë më shumë zëra të lartë që shprehin një shqetësim të fortë për të ardhmen e marrëdhënieve mes Perëndimit dhe Kinës që në njëfarë forme çojnë te konkluzioni se ekziston një spirale e pashmangshme e tensioneve në rritje”- tha Macroni para gazetarëve në ambasadën franceze në Pekin.

Vizita e presidentit francez, e cila filloi para arritjes së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Pekin, është e para që nga viti 2019 në këtë shtet.

Macroni dhe zonja Von der Leyen kanë thënë se duan që ta bindin Kinën për ta përdorur ndikimin e saj ndaj Rusisë për ta sjellë paqen në Ukrainë ose të paktën ta parandalojnë përkrahjen e drejtpërdrejtë të Kinës për Rusinë.

Lajme të ngjashme