Macron në balotazh me Le Pen, ekstremistja që do ta ndalojë mbulesën islame në rrugë
Agjencitë franceze të sondazheve parashikuan të dielën se presidenti aktual Emmanuel Macron dhe nacionalistja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen po shkojnë drejt një balotazhi tjetër në zgjedhjet presidenciale franceze, me rivalitetin e tyre të ashpër politik dhe vizionet ashpërsisht të kundërta.
Nëse konfirmohet nga numërimi zyrtar i votave, parashikimet fillestare të anketuesve nënkuptojnë se Franca po përgatitet për një përsëritje të garës kokë më kokë si në vitin 2017 që e vendosi Macron në pushtet – por këtë herë nuk ka asnjë garanci që rezultati do të të jetë i njëjtë.
Macron, është një centrist politik 44-vjeçar, fitoi me shumicë pesë vjet më parë për t'u bërë presidenti më i ri i Francës. Por Macron po përgatitet për një betejë shumë më të ashpër këtë herë kundër armikut të tij politik, 53-vjeçares Le Pen, e cila po premton ndryshime sizmike për Francën - si brenda dhe jashtë vendit, nëse zgjidhet si presidentja e parë grua e vendit.
Ndërsa tani, parashikimet treguan se Macron kishte një epërsi të rehatshme në raundin e parë prej 27% deri në 29% mbështetje, përpara Le Pen, e cila pritet të marrë 23% me 24% të votave. Projeksionet treguan po ashtu se i pari i majtë Jean-Luc Melenchon nuk arriti në balotazh, duke dalë në vendin e tretë.
Rezultati i zgjedhjeve në Francë do të ndikojë në drejtimin e Evropës, e cila është në përballje me kërdinë e shkaktuar nga lufta e presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë, shkruan Associated Press.
Balotazhi presidencial i Francës që do të mbahet më 24 prill duket se do të gjejë përballë presidentin e qendrës që kërkon të modernizojë ekonominë dhe të forcojë bashkëpunimin evropian kundër nacionalistes Le Pen, e cila ka kërkuar të zbusë reputacionin racist të partisë së saj.
Le Pen këtë herë në mendjet e shumë votuesve francezë ka futur çështje jetësore si: kostot e jetesës që janë rritur në mes të ndërprerjeve të luftës në Ukrainë dhe pasojat ekonomike të sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë.
Anketuesit sugjerojnë se vetëm disa pikë përqindjeje mund të ndajnë Macron dhe Le Pen në votimet e raundit të dytë. Ky skenar thumbues krijon një fushatë balotazhi që ka të ngjarë të jetë shumë më konfrontues sesa që ishte gjatë raundit të parë, i cili u errësua kryesisht nga lufta në Ukrainë.
Me potencialin e saj për të riformuar identitetin e Francës pas luftës, zgjedhjet kanë një rëndësi të gjerë ndërkombëtare. Një fitore e Macron do të shihej si një humbje për populistët evropianë dhe mund të mos brohoritet gjithashtu në Kremlin pasi që Macron ka mbështetur fuqishëm sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, ndërsa Le Pen është shqetësuar publikisht për ndikimin e këtyre sanksioneve në standardet e jetesës franceze.
Le Pen votoi në qytetin verior të Henin-Beaumont, ku më pas, ajo u deklarua duke thënë "duke pasur parasysh situatën në vend dhe në botë, rezultati i zgjedhjeve të së dielës mund të përcaktojë jo vetëm pesë vitet e ardhshme, por ndoshta 50 vitet e ardhshme" në Francë.
Në BE-në 27-anëtareshe, vetëm Franca ka një arsenal bërthamor dhe një veto në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. E ndërsa Putin vazhdon sulmin e tij ushtarak ndaj Ukrainës, fuqia franceze po ndihmon në formësimin e reagimit evropian. Macron është i vetmi kandidat kryesor presidencial francez që mbështet plotësisht aleancën ushtarake të NATO-s.
Macron dhe gruaja e tij, Brigitte, votuan së bashku në resortin bregdetar të Le Touquet, duke bërë zgjedhjet e tyre në kabinat e votimit të mbuluara nga perde blu, të bardha dhe të kuqe – ngjyrat e flamurit francez.
Franca ende operon një sistem votimi të teknologjisë së ulët, i pandryshuar për breza, me fletë votimi të hedhura personalisht dhe të numëruara me dorë.
Fitorja e Macron ndaj Le Pen në 2017 për t'u bërë presidenti më i ri modern i Francës u pa si një fitore kundër politikës populiste, nacionaliste, që erdhi pas zgjedhjes së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe votimit të Britanisë për t'u larguar nga Bashkimi Evropian, në vitin 2016.
Ndërsa, tani Macron ka akuzuar Le Pen për nxitjen e një manifesti ekstremist të politikave raciste dhe shkatërruese pasi që Le Pen dëshiron të ndalojë shamitë myslimane në rrugët franceze dhe kasapin hallall.