Macron-i i merr lakmi Erdoganit: Kush do që Turqia të jetë fuqia e vetme që flet me Rusinë? Edhe Franca do të flasë
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të enjten se ai do ta vazhdojë dialogun me Rusinë për ta parandaluar eskalimin e konfliktit në Ukrainë, por u zotua për përkrahje të palëkundur të Francës për Kievin, duke thënë se duhet bërë përgatitje për një luftë të gjatë.
Në të kaluarën, presidenti francez është kritikuar nga Ukraina dhe aleatët e Evropës Lindore për atë që këto vende e kanë cilësuar si përkrahje të paqartë të Francës për Ukrainën që nga fillimi i luftës dhe për dialogun e vazhdueshëm të Macron-it me homologun rus, Vladimir Putin.
“Ne duhet të përgatitemi për një luftë të gjatë”, tha presidenti francez para zyrtarëve të politikës së jashtme përderisa po i paraqiste objektivat e kësaj fushe, raporton agjencia "Reuters".
Ai tha se Franca do ta vazhdojë përkrahjen afatgjate për Ukrainën në ekonomi, ushtri dhe ndihma humanitare, por paralajmëroi se njëra nga sfidat kyçe do të jetë sigurimi i unitetit evropian përballë Rusisë.
“Uniteti evropian është çelës, sepse përçarja është njëra nga objektivat e luftës së Rusisë”, tha Macron-i.
Ai këmbënguli se bisedimet me Moskën janë shumë të rëndësishme për ta shmangur eskalimin e konfliktit dhe për të ndihmuar përfundimisht për përcaktimin e kushteve të paqes së negociuar, për të cilat mund të vendosë vetëm Ukraina.
“Franca do të vazhdojë që të bisedojë me Rusinë. Kush dëshiron që Turqia të jetë fuqia e vetme në botë që vazhdon të flasë me Rusinë”, tha presidenti francez./Nacionale
