Lumenjtë e tharë në Evropë, ekspozohen anije të fundosura e fshatra të humbura - NACIONALE

Lumenjtë e tharë në Evropë, ekspozohen anije të fundosura e fshatra të humbura

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Evropa ka vuajtur javë të tëra thatësire, me valë të vazhdueshme të të nxehtit që kanë çuar në evakuime dhe vdekje.

Lumenjtë dhe liqenet janë tharë, duke shkaktuar probleme të mëdha për anijet, ndërsa nivelet e ulëta të ujit kanë zbuluar edhe disa thesare të varrosura prej kohësh.

Më ogurzi prej tyre janë "gurët e urisë", të gdhendur në vijën ujore të lumenjve gjatë thatësirave të mëparshme si një paralajmërim për brezat e ardhshëm se kur gurët janë mbi ujë, vështirësitë janë përpara.

Shumica e gurëve janë rishfaqur në brigjet e lumit Elba, i cili rrjedh nga Republika Çeke përmes Gjermanisë.

Një gur, i cili u gdhend për herë të parë qysh në shekullin e 15-të, ishte shfaqur gjithashtu në vitin 1616, me vendasit që gdhendën në të fjalët "nëse më shihni, qani".

Nivelet e ulëta të ujit në Danub në Serbi kanë zbuluar mbetjet e fundosura të anijeve të Luftës së Dytë Botërore, ende të ngarkuara me eksploziv.

Anijet, të gjetura pranë qytetit të Prahovës, ishin pjesë e një flote naziste të fundosur në vitin 1944. E nëse kjo thatësirë vazhdon pritet të shfaqen edhe më shumë mbetje të tilla.

Mjete të pashpërthyera janë gjetur edhe në lumin Po në Itali.

Ndërsa ekspertët hoqën dhe shpërthyen në mënyrë të sigurtë një bombë të zhytur në Luftën e Dytë Botërore, në korrik nga një fshat afër qytetit të Mantua u evakuuan rreth 3,000 njerëz.

Në lumin Po është shfaqur edhe një maune e përdorur nga gjermanët dhe e fundosur në vitin 1943.

Vendasit filluan të shohin maunën Zibello teksa nivelet e ujit ranë disa muaj më parë, pritet që në vazhdim të shfaqen edhe mbetje të tjera.

Nivelet e ulëta të lumit Tiber në Romë kanë zbuluar rrënojat e një ure të lashtë e cila mund të jetë ndërtuar nga perandori Neron rreth vitit 50 pas Krishtit.

Në një nivel të ulët uji, ka qenë gjithmonë e mundur të shihet një pjesë e vogël, por tani nga kjo strukturë mund të shihet shumë më tepër se zakonisht.

Ajo shtrihet poshtë vendit të një ure moderne, Vittorio Emanuele II.

Në Spanjë, "Spanish Stonehenge" është shfaqur në rezervuarin Valdecanas në provincën qendrore të Caceres.

I quajtur zyrtarisht Dolmen i Guadalperal, rrethi i gurëve besohet se daton në vitin 5000 para Krishtit.

Ky rreth u zbulua nga një arkeolog në vitin 1926, por zona u përmbyt në një projekt zhvillimi rural në 1963.

Që atëherë këta gurë janë parë vetëm katër herë.

Në Galicia, në kufirin me Portugalinë, pasi thatësira zbrazi në mënyrë dramatike ujërat e një rezervuari në fillim të vitit u shfaq një "fshat fantazmë".

Aceredo u përmbyt në 1992 për t'i hapur rrugë rezervuarit, e tani disa nga ish-banorët janë kthyer për të parë përreth ndërtesave tashmë të rrënuara.

Thesare të humbura janë zbuluar edhe në Britaninë e Madhe.

Rrënojat që mendohet se janë të një kishe në fshatin Derwent në Derbyshire janë ekspozuar.

Fshati u përmbyt në vitet 1940 për t'i hapur rrugë rezervuarit Ladybower.

Ndërsa në Cornwall, mbetje të pemëve të vjetra janë ekspozuar në rezervuarin e Liqenit Colliford.

Zona në Bodmin Moor u përmbyt në vitet 1980, e pasi moti i nxehtë thau barin, gjurmët e disa kopshteve të shekullit të 17-të u shfaqën në Lydiard Park në Swindon, në Anglinë jugperëndimore.

“Kopshte fantazmash” të ngjashme janë shfaqur edhe në Longleat.

Lajme të ngjashme