Vazhdon vala e vapës në Evropën Perëndimore – thatësi në Angli, zjarre në Francë - NACIONALE

Vazhdon vala e vapës në Evropën Perëndimore – thatësi në Angli, zjarre në Francë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zjarrfikës nga pjesë të ndryshme të Evropës shkuan për t’i ofruar ndihmë Francës të premten në luftë kundër një zjarri masiv në natyrë. Zjarre ka edhe në Portugali, ndërsa disa pjesë të Anglisë ballafaqohen me thatësi të madhe. Vala e re e vapës e vuri përsëri në pah çështjen e ndryshimeve klimatike.

Një pjesë e madhe e Evropës është përballur me temperatura shumë të larta. Niveli i ujit në Lumin Rhine në Gjermani ka rënë me masë të konsiderueshme, ndërsa pakësimi i sasisë së ujit vërehet edhe në Lumin Thames në Britani, shkruan agjencia "Reuters".

Temperaturat e larta dhe përkeqësimi i thatësisë shkaktuan rrezik të madh për zjarre të reja në Gironde, në jugperëndim të Francës, thanë zyrtarët lokalë. Mijëra hektarë janë djegur dhe rreth 10.000 njerëz janë zhvendosur për shkak të këtij zjarri.

Zjarrfikës nga Gjermania, Rumania, Greqia e vende të tjera kanë dalë në terren për ta ndihmuar Francën për luftimin e flakëve në atë rajon dhe në fronte të tjera, përfshirë rajonin veriperëndimor, Brittany.

“Nuk ka rëndësi vendi, ne jemi zjarrfikës dhe jemi këtu për të ndihmuar”, tha në Gironde komandanti i zjarrfikësve rumunë, Cristian Buhaianu.

Komandantja franceze e zjarrfikësve, Stephanie Martin, e mirëpriti përkrahjen e tyre në zonën që tashmë ka pasur zjarr masiv me javë të tëra muajin e kaluar. “Zjarrfikësit tanë janë të lodhur pas një muaji luftë. Kjo është vërtet ndihmë e mirë për ne, pra mund të përqendrohemi edhe tek operacioni tjetër”, tha ajo.

Por përderisa fundi i pritshëm i valës së tretë të vapës në Francë të dielën mund të sjellë ca lehtësim, zjarri tashmë ka lënë shumë shkatërrim, përfshirë 7.400 hektarë të djegur.

Në pjesën qendrore të Portugalisë, një zjarr i madh ka filluar të përhapet qe shtatë ditë. 1.600 zjarrfikës, të përkrahur nga 13 aeroplanë, përfshirë një të dërguar nga Spanja, po luftojnë kundër zjarrit që ka shkatërruar rreth 15 për qind të parkut kombëtar “Serra da Estrela”.

Vapa po lë pasoja edhe në Britani. Qeveria e ka shpallur thatësinë në disa pjesë të Anglisë jugore, qendrore e lindore pas një periudhe të gjatë të motit të nxehtë.

Në Angli u regjistrua korriku më i thatë që nga viti 1935. Reshjet këtë muaj ishin vetëm 35 për qind e sasisë së zakonshme. Disa pjesë të Anglisë dhe Uellsit janë nën alarmin katërditor të vapës ekstreme./Nacionale

Lajme të ngjashme