Lumenjtë e botës po thahen nga moti ekstrem - shihni se si duken nga hapësira
Mungesa e madhe e shiut dhe valët e pamëshirshme të të nxehtit janë duke tharë lumenjtë në ShBA, Evropë, Azi dhe Lindjen e Mesme, ku shumë prej tyre po zvogëlohen në gjatësi dhe gjerësi. E ndërsa, pjesët e shtratit të lumit që dalin mbi ujë janë kthyer në një pamje të zakonshme, disa lumenj janë tharë aq shumë, saqë praktikisht janë bërë të pakalueshëm.
Kriza klimatike e shkaktuar nga vetë njeriu është duke nxitur motin ekstrem në të gjithë globin, gjë që nuk po ndikon vetëm në lumenj, por edhe tek njerëzit - pasiqë, shumica e njerëzve në planet në një farë mënyre varen nga lumenjtë, qoftë për ujë të pijshëm, për të ujitur, për energji apo për të transportuar mallra.
Në vazhdim, CNN sjell pamje të lumenjve nga hapësira.
Lumi Kolorado
Pasi një thatësirë historike në perëndim të ShBA-së nuk po tregon shenja të zbutjes, lumi Kolorado është duke u tharë. Ky lum mirëmbahet në mënyrë thelbësore nga dy rezervuarët më të mëdhenj të vendit dhe për të mbrojtur pellgun e lumit, qeveria ka zbatuar ndërprerje të detyrueshme të ujit dhe u ka kërkuar shteteve të hartojnë plane veprimi shtesë.
Një nga ata rezervuarë, Liqeni Mead, është duke u zvogëuar në madhësi ndërsa nivelet e ujit janë duke rënë drejt statusit të "pellgut të vdekur" - pikë në të cilën rezervuari nuk do të ketë ujë të mjaftueshëm për të lëshuar në rrjedhën e poshtme përmes një dige.
Nivelet e tij të ujit kanë qenë në një prirje rënëse që nga viti 2000, por që pas këtij viti ka pasur një rënë më të madhe. Niveli i ujit ka rënë aq shumë sa janë bërë edhe zbulime të ndryshme, duke përfshirë mbetje njerëzore në një fuçi - një viktimë e dyshuar që është vrarë dekada më parë. E pasojat e krizës së lumit Kolorado janë të mëdha pasi, rreth 40 milionë njerëz në shtatë shtete dhe Meksikë mbështeten në ujin e lumit për pije, bujqësi dhe energji elektrike.
Lumi Yangtze
Lumi Yangtze në Azi është duke tharë gjithashtu, ku në shumë zona pjesë të shtratit të tij kanë mbetur pa ujë, por janë degët e Yangtze-së që tashmë janë tharë intensivisht. Kina ka shpallur një alarm mbarëkombëtar për thatësirën për herë të parë në nëntë vjet, dhe vala e saj e të nxehtit është më e gjata në gjashtë dekada.
Ndikimi i tharjes së Yangtze-s ka qenë i madh, pasi në Sichuan, një provincë me 84 milionë banorë, hidrocentralet përbëjnë rreth 80% të kapacitetit të energjisë elektrike ku pjesa më e madhe e ujit vjen nga lumi Yangtze. E ndërsa rrjedha e tij është ngadalësuar, prodhimi i energjisë elektrike është zvogëluar, duke bërë që autoritetet atje të urdhërojnë mbylljen e të gjitha fabrikave për gjashtë ditë. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua, kjo provincë po merr vetëm gjysmën e shiut që bie zakonisht dhe disa rezervuarë janë tharë plotësisht.
Lumi Rhine
Rhine fillon në Alpet zvicerane, rrjedh përmes Gjermanisë dhe Holandës dhe më pas derdhet në Detin e Veriut. Ky lum është një kanal vendimtar për transportin evropian, por tani për tani është një makth për të lundruar.
Pjesë të shtratit të tij janë shfaqur mbi sipërfaqen e ujit, që do të thotë se anijet që përpiqen ta kalojnë atë duhet të kalojnë rreth një sërë pengesash, e rrjedhimsht duhet ngadalësuar i gjithë procesi.
Rhine ka shumë degë të ndryshme gjatë rrugës, duke përfshirë Kaub, në perëndim të Frankfurtit, Gjermani, ku nivelet e ujit kanë rënë deri në 32 centimetra. Kompanitë e transportit në përgjithësi konsiderojnë se çdo nivel uji në Rihne prej më pak se 40 cm është për t’u shqetësuar dhe në Kaub, më pak se 75 cm ujë zakonisht do të thotë që një anije me kontejnerë duhet të zvogëlojë ngarkesën e saj në rreth 30%. Nivelet e ulëta të ujit gjithashtu nënkuptojnë që kompanitë paguajnë tarifa më të larta për të kaluar, dhe të gjithë këta faktorë e bëjnë transportin më të shtrenjtë, një kosto që zakonisht u kalohet konsumatorëve.
Lumi Po
Lumi Po përshkon majën e Italisë dhe derdhet në lindje në detin Adriatik. Ky lum ushqehet nga bora e dimrit në Alpe dhe reshjet e dendura në pranverë dhe ka një rënie të pjerrët që sjell një rrjedhje të shpejtë. Në mënyrë tipike, problem rreth këtij lumi kanë qenë përmbytjet, por tani, po duket shumë ndryshe.
Në italinë veriore dimri ishte i thatë, kështu që bora siguroi shumë pak ujë e duke qenë se edhe pranvera e vera kanë qenë të thata rajoni është zhytur në thatësirën më të keqe prej shtatë dekadash. Lumi është tharë aq shumë sa kohët e fundit mes ujërave të pakta që kanë ngelur u gjet një bombë e kohës së Luftës së Dytë Botërore.
Një problem i madh është se miliona njerëz mbështeten në lumin Po për jetesën e tyre, kryesisht përmes bujqësisë. Rreth 30% e ushqimit të Italisë prodhohet përgjatë Po-së, dhe disa nga eksportet më të famshme të vendit, si djathi parmixhano bëhen po në atë rajon.
Lumi Loire
Loire në Francë mbështet një luginë me vreshta që prodhojnë disa nga verërat më të famshme në botë. Lumi shtrihet mbi 600 milje dhe konsiderohet lumi i fundit i egër i Francës, duke mbështetur ekosistemet e biodiversitetit në të gjithë luginën, shumica e të cilave mbrohen nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.
Disa pjesë të lumit tashmë janë mjaft të cekëta, por nivelet dhe rrjedha e tij mund të ndryshojnë me shpejtësi me motin dhe me shkrirjen e borës në burim. Disa pjesë të tij tani janë tharë aq shumë nga mungesa e shiut dhe nxehtësia ekstreme, saqë njerëzit mund të kalojnë me këmbë.
Imazhet satelitore nga qyteti francez i Saumur tregojnë më shumë shtratin e lumit sesa ujin e ekspozuar në Loire. Pjesët e tokës rreth tij në luginë janë kryesisht kafe dhe të thara - ku një vit më parë, ato ishin gjithë gjelbërim. E duke qenë se përgjatë këtij lumi ndodhen edhe katër centrale bërthamore, autoritetet janë duke lëshuar ujë nga digat në mënyrë që të sigurojnë ujë të mjaftueshëm për ftohjen e tyre
Lumi Danub
Danubi është lumi më i gjatë i Evropës Perëndimore dhe një kanal i rëndësishëm i transportit detar që kalon nëpër 10 vende. Në Rumani, Serbi dhe Bullgari, punëtorët kanë nisur të gërmojnë brenda lumit në mënyrë që anijet të mund të lundrojnë.
Edhe pse ky lum nuk është në një gjendje aq të rëndë sa disa nga lumenjtë e tjerë të Evropës, tharja e tij ka një ndikim të madh për vendet si Hungaria, që janë të varura nga ai për turizmin. Është bërë e ditur se disa anije lundrimi nuk kanë mundur të kalojnë pjesë të lumit për të arritur as në Hungari, ndërsa shumë që janë ende në lëvizje nuk mund të bëjnë rrugë normale pasi shumë stacione është dashur të mbyllen për shkak të rënies së nivelit të ujit.
Sipas bordit turistik të vendit, një anije mesatare prej 1600 tonësh tani mund të lundrojë në pjesën hungareze vetëm po nuk pati asnjë ngarkesë.