Luftimet vazhdojnë, por Trumpi nënshkruan pakt të paqes me Kongon e Ruandën
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i mblodhi dy homologët nga Ruanda dhe Republika Demokratike e Kongos të enjten në Uashington për të nënshkruar një marrëveshje të paqes, edhe pse luftimet vazhduan në rajonin e tyre.
Presidenti i Ruandës, Paul Kagame, dhe homologu i tij nga Republika Demokratike e Kongos, Felix Tshisekedi, i pohuan zotimet për një marrëveshjeje për integrim ekonomik të arritur muajin e kaluar dhe për paktin e paqes të ndërmjetësuar nga ShBA-ja në qershor. Ata gjithashtu pritet të nënshkruajnë një marrëveshje për mineralet kritike, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ceremonia e nënshkrimit i dha Trumpit një fitore diplomatike të bërë për televizion, në një rast që bie ndesh me situatën e përgjakshme në terren, thekson agjencia e njohur. Uashingtoni dëshiron qasje në një spektër të burimeve natyrore në Kongo dhe po bën përpjekje globalisht për t’iu kundërvënë mbizotërimit të Kinës në fushën e mineraleve kritike.

“Po zgjidhim një luftë që ka qenë duke vazhduar me dekada. Ata kaluan shumë kohë duke e vrarë-njëri-tjetrin dhe tani do të kalojnë shumë kohë duke u përqafuar, duke i mbajtur duart dhe duke i shfrytëzuar Shtetet e Bashkuara ekonomikisht, siç bën secili shtet tjetër” – tha presidenti amerikan.
Dy presidentët afrikanë i nënshkruan dokumentet dhe i shkëmbyen ato bashkë me Trumpin.
Përderisa udhëheqësit po nënshkruanin, përleshjet mes rebelëve të grupit M23 të mbështetur nga Ruanda dhe ushtrisë kongoleze u raportuan në mbarë provincën e Kivusë Jugore. Një zëdhënës i grupit M23 i akuzoi trupat qeveritare për bombardimin e disa zonave civile.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se nënshkrimi i marrëveshjes “i rizoton palët ndaj procesit të paqes” dhe pasqyron “muaj të diplomacisë intensive të udhëhequr nga presidenti Trump, i cili u bëri të qartë Kongos dhe Ruandës se status-kuoja ishte e papranueshme”.