Fjalimi vjetor i Putinit: Ukraina, ekonomia, sanksionet - NACIONALE

Fjalimi vjetor i Putinit: Ukraina, ekonomia, sanksionet

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Presidenti rus, Vladimir Putin, të enjten po e mban fjalimin vjetor dhe po pranon pyetje nga gazetarët. Më poshtë janë disa prej deklaratave dhe përgjigjeve nga konferenca.

Putini u pyet edhe për rindërtimin e territoreve të pushtuara nga rusët në Ukrainë. Ai pretendoi se Moska ka investuar në rrugë, të cilat, sipas tij, do të sillen në “standardin kombëtar rus”, si dhe në objekte mjekësore e pjesë të tjera të infrastrukturës.

“Puna është duke u zhvilluar në një numër sferash” – tha ai, duke i përmendur rindërtimin, shërbimet publike si dhe qendrat kulturore e sociale.

Ai premtoi se do të ndërtohet një rrugë në formë rrethore përreth Detit të Azovit si dhe një rrugë e re që do ta lidhë Donetskun me qytetin Mariupol.

__________

Në vazhdim, Putini u pyet rreth amendamentimit të doktrinës bërthamore të Rusisë. Muajin e kaluar, kreu i Kremlinit i miratoi ndryshimet me të cilat vendosen kushte të reja nën të cilat Rusia do ta shqyrtonte përdorimin e armëve bërthamore.

Në doktrinën e re thuhet se një sulm nga një shtet që nuk ka armë bërthamore, nëse mbështetet nga një fuqi bërthamore, do të trajtohet si sulmi i përbashkët kundër Rusisë.

Ai u pyet nëse “porosia është pranuar nga Perëndimi”.

“Nuk e di, duhet t’i pyesni ata” – u përgjigj presidenti rus.

Më tej, ai shpjegoi se te ndryshimet në doktrinë, “ne flasim për rreziqet ushtarake që po shpalosen... si shfaqja e sistemeve kundër-raketore”.

Sipas tij, nëse shtetet vazhdojnë që të krijojnë rrezik për Rusinë, Moska beson se e ka të drejtën për të përdorur armë bërthamore kundër tyre.

__________

Putini më pas u pyet për raketën e re balistike të Rusisë, “Oreshnik”, e cila u përdor kundër Ukrainës në nëntor. Ai këmbënguli se teknologjia perëndimore “nuk ka gjasa” për ta penguar këtë raketë.

Le të bëjmë “një eksperiment ose duel”, vazhdoi ai: të zgjedhim një shënjestër në Kiev, t’i sjellim sistemet perëndimore të mbrojtjes ajrore atje dhe të shohim nëse ato do të jenë në gjendje për ta penguar raketën “Oreshnik”.

“Do të jetë interesante për ne” – tha presidenti rus.

Më herët, ai ka thënë se raketa, kur u përdor kundër Ukrainës muajin e kaluar, fluturoi me shpejtësinë Mach 10, ose 2,5 deri në 3 kilometra në sekondë (dhjetëfish më shpejt se zëri), duke shtuar se “tani për tani nuk ka mënyra për t’iu kundërvënë kësaj arme”.

__________

Kur u pyet se a është “më afër fitorja në Ukrainë”, Putini tha se situata është duke ndryshuar në mënyrë drastike. “Luftimet janë të ndërlikuara... por ne po i afrohemi zgjidhjes së detyrave tona kryesore të operacionit special” – tha ai, duke e përdorur termin zyrtar rus për luftën në Ukrainë.

Më tej, presidenti rus tha se nuk mund të japë një datë se kur Rusia do ta rimarrë kontrollin e rajonit rus në kufi me Ukrainën, Kursk, pas ofensivës ukrainase më herët këtë vit atje.

“Nuk ka logjikë ushtarake që Ukraina të hyjë në rajonin e Kurskut”, tha ai, duke shtuar se “me siguri se do t’i heqim qafe”.

Presidenti rus premtoi se shkollat, çerdhet dhe infrastruktura rrugore do të rindërtohen dhe se kushdo që ka pësuar shkatërrim të shtëpisë do të dëmshpërblehet.

__________

Ekonomia po vazhdon të mbetet në qendër të diskutimit me pyetje e përgjigje mes Putinit e gazetarëve. Shumë prej pyetjeve janë për rritjen e çmimeve.

Presidenti rus u përgjigj duke thënë se furnizimi po ka vështirësi për t’u mbajtur në nivel me kërkesën, pasi pagat po rriten. Ai e minimizoi ndikimin e sanksioneve perëndimore. “Ato nuk janë faktor kyç” – deklaroi kreu i Kremlinit.

__________

Më pas, Putini u pyet rreth shqetësimeve për ngritjen e çmimeve. “Si mund të adresohet kjo” – u pyet ai. Presidenti rus tha se konsumi i disa mallrave është rritur përtej furnizimeve, duke shtuar se rusët kanë “në masë domethënëse” mbi mesataren globale mish. Sipas tij, konsumi është dyfishuar.

Sa i përket gjalpit, ai thotë se nuk po sigurohet sasi e mjaftueshme e qumështit për ta plotësuar kërkesën për gjalpë.

Më tej, Putini tha se Banka Qendrore i ka rritur shkallët e interesit, duke theksuar se ekspertët kanë paralajmëruar që kjo duhej të bëhej më herët.

Presidenti rus tha se rritja e çmimeve është gjë e keqe, por se mbajtja e kushteve makroekonomike të qëndrueshme do t’i ulë çmimet.

__________

Në pyetjen e parë, Putini u pyet për gjendjen ekonomike të vendit. Ai tha se situata ekonomike është e qëndrueshme dhe “vazhdon të avancojë kundër të gjitha gjasave”, pavarësisht nga ato që ai i quajti “rreziqe të jashtme”.

Sipas presidentit rus, rritja ekonomike në Rusi këtë vit do të jetë 3,9 për qind.

Sa i përket inflacionit, ai pranoi se arritja e inflacionit në shkallën prej 9 për qind është “sinjal alarmues”, por se “në tërësi, situata është stabile”.

Putini gjithashtu pretendoi se Rusia renditet e katërta në botë sa i përket fuqisë blerëse – masë e kostove relative të mallrave.

__________

Pasi pranoi një pyetje nga kryeredaktori i agjencisë ruse të lajmeve, TASS, në lidhje me atë se a është “afër fitorja” në luftën në Ukrainë, kreu i Kremlinit tha se ka pritur një pyetje të tillë dhe bëri një “film” të shkurtër, një gjest simbolik, duke kërkuar ndihmë për ta shpalosur flamurin e Marinës ruse të Flotës së Paqësorit.

“E mora këtë me vete, me arsye. Numër një, desha t’i falënderoja djemtë për këtë dhuratë” – tha presidenti rus, përderisa dy persona po e mbanin të shpalosur flamurin prapa shpinës së tij.

Ai i lavdëroi trupat ruse që po luftojnë në vijën e frontit. “Më duhet të them se situata është duke ndryshuar në mënyrë drastike. Ju e dini këtë shumë mirë, vetëm desha ta konfirmoj. Shohim lëvizje përgjatë tërë vijës së frontit, çdo ditë” – shtoi Putini.

Lajme të ngjashme