Ligj i ri në Korenë e Jugut, njerëzit do të bëhen një ose dy vjet më të rinjë
Aktualisht koreano-jugorët nuk kanë vetëm një moshë, por tre – një “moshë ndërkombëtare”, një “moshë koreane” dhe një tjetër “kalendarike’. Por për t'i dhënë fund këtij konfuzioni, parlamenti i vendit ka miratuar një ligj me anë të së cilit që nga qershori 2023 të gjitha dokumentet zyrtare do të duhet të përdorin standardin "moshën ndërkombëtare".
Ky vendim i ri që vjen pas një debati të gjatë lidhur me këtë çështje, do të bëjë që vendi të përputhet me pjesën më të madhe të vendeve tjera në botë si dhe do të zvogëlojë mospërputhjet ligjore që lindin nga përdorimi i tre sistemeve të ndryshme.
Në Korenë e Jugut, "mosha ndërkombëtare" e një personi i referohet numrit të viteve që kur ka lindur dhe fillon me zero - i njëjti sistem që përdoret në shumicën e vendeve të tjera. Por, të pyetur për moshën në mjedise joformale, shumica e koreano-jugorëve do të përgjigjen me "moshën e tyre koreane", e cila mund të jetë një apo edhe dy vjet më e vjetër se "mosha e tyre ndërkombëtare".
Sipas sistemit të moshës koreane, foshnjat konsiderohen një vjeç në ditën kur lindin dhe ju shtohet një vit në çdo 1 janar. Përveç kësaj, në disa rrethana, koreano-jugorët përdorin gjithashtu "moshën e tyre kalendarike" - një lloj përzierjeje midis moshës ndërkombëtare dhe asaj koreane – sipas këtij sistemi, foshnjat konsiderohen zero vjeç ditën që lindin dhe u shtohet një vit në çdo 1 janar.
Për ta ilustruar më mirë, mund të mendojmë këngëtarin e njohur e “Gangnam Style” Psy, i lindur më 31 dhjetor 1977, ai konsiderohet 44 vjeç sipas moshës ndërkombëtare; 45 sipas moshës së vitit kalendarik; dhe 46 sipas asaj koreane.
Pra, shumica e njerëzve në jetën e përditshme përdorin moshën koreane, e cila i ka rrënjët në Kinë, ndërsa mosha ndërkombëtare përdoret më shpesh për çështje ligjore dhe zyrtare. Ndërsa, disa ligje, duke përfshirë ato që lidhen me moshat ligjore për pirjen e alkoolit, pirjen e duhanit dhe rekrutim ushtarak – përdorin moshën e vitit kalendarik.
Megjithatë, sipas faqes së internetit të parlamentit dhe dokumenteve që lidhen me projektligjin, CNN shkruan se, ligji i ri i miratuar të enjten do të standardizojë përdorimin e moshës ndërkombëtare në të gjitha "fushat gjyqësore dhe administrative" në vend.

