Britania, Italia e Japonia bashkohen për të zhvilluar aeroplan luftarak me inteligjencë artificiale
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, pritet të njoftojë një bashkëpunim mes vendit të tij, Italisë dhe Japonisë për zhvillimin e një aeroplani të ri luftarak që e përdor inteligjencën artificiale.
Shefi i qeverisë britanike thotë se kjo sipërmarrje e përbashkët ka për qëllim që të krijojë mijëra vende pune në Mbretërinë e Bashkuar dhe që t’i fuqizojë lidhjet në fushën e sigurisë, raporton televizioni BBC.
Këto tri shtete do të zhvillojnë një aeroplan luftarak të gjeneratës së ardhshme, i cili do ta zëvendësojë aeroplanin “Typhoon” dhe që pritet të futet në shërbim rreth vitit 2035.
Shpresohet që me aeroplanin e ri, të quajtur “Tempest”, do të mund të barten armët më të reja.
Puna për zhvillimin e tij tashmë ka filluar. Qëllimi është që të krijohet një aeroplan luftarak që do të ofrojë shpejtësi tinëzare, që do të përdorë sensorë të avancuar dhe madje edhe inteligjencë artificiale për t’i ofruar asistencë pilotit, kur ai është i mbingarkuar ose nën stres të skajshëm.
Aeroplani i ri do të mund të operohet edhe pa pilot, nëse kërkohet, dhe do të mund të hedhë raketa hipersonike, përcjell Nacionale.
Megjithatë, prodhimi i një aeroplani kaq kompleks është jashtëzakonisht i shtrenjtë - zhvillimi i aeroplanit F-35 ka qenë programi më i shtrenjtë ndonjëherë i ndërmarrë nga Pentagoni – prandaj Britania po kërkon partnerë.
Italia ishte tashmë pjesë e projektit, ndërsa hyrja e Japonisë në të është lëvizje domethënëse, në kohën kur Britania është duke ndërtuar lidhje më të ngushta me aleatët në rajonin e Indo-Paqësorit, ku vendet po brengosen nga një Kinë më e ashpër.
Edhe vende të tjera mund të bëhen pjesë e këtij programi. Franca, Gjermania dhe Spanja tashmë janë duke punuar për aeroplanin e tyre, njësoj siç po punojnë edhe Shtetet e Bashkuara.
Për Mbretërinë e Bashkuar, kjo marrëveshje nuk ka të bëjë vetëm me sigurinë, por edhe me ekonominë. Ka shpresë që zhvillimi i një aeroplani të ri luftarak do të mund të krijonte dhe të mbante mijëra vende pune në Britani dhe t’i hapte dyert për më shumë eksportim të armëve.
Kryeministri britanik do ta njoftojë fazën e parë të rëndësishme të programit gjatë një vizite të premten në qendrën e Forcës Ajrore Mbretërore në Lincolnshire.
Para vizitës, ai tha: “Siguria e Mbretërisë së Bashkuar, edhe sot, edhe për gjeneratat e ardhshme, gjithmonë do të jetë me rëndësi parësore për këtë qeveri. Prandaj ne duhet të qëndrojmë në krye të përparimeve në teknologjinë e mbrojtjes, duke i parakaluar ata që synojnë të na bëjnë dëm.”

